Kryetari i PD-së Sali Berisha hedh poshtë akuzat e protestueses për pronat: Familja ime nuk ka përfituar kurrë tokë në Divjakë

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me një deklaratë prej një prej protestuesve në protestën e ditës së djeshme.

Berisha shkruan se, deklarata se Argita Berisha dhe familja e kryeministrit Berisha më kanë marrë 63 hektar tokë në Divjakë ‘është një gënjeshtër e plotë dhe shpifje e turpshme’.

Reagimi i Kryetarit të PD, Sali Berisha:

“Kur kauzat ngjyhen me shpifjet e qeverisë. Lidhur me deklaratën e një shpifëseje të paguar dje në protestë, se ‘Argita Berisha dhe familja e kryeministrit Berisha më kanë marrë 63 hektar tokë në Divjakë’, deklaroj se: kjo është një gënjeshtër e plotë dhe shpifje e turpshme.

Argita Berisha dhe familja e ish-kryeministrit Berisha nuk kanë dhe nuk kanë pasur kurrë asnjë metër katror tokë në Divjakë dhe nuk i kanë marrë kujt kurrë asnjë metër katror tokë.

Sali Berisha dhe familja e tij është hetuar për 35 vjet nga militantët e Edi Ramës dhe në përfundim rezultoi se ata kurrë nuk kanë përfituar asnjë lekë publik, asnjë tender dhe asnjë cm2 tokë, publike e as private të tjetërkujt.

Pasi dështuan me shpifjet për interesat e mia e të familjarëve të mi në kullat e Tiranës, ditën kur Edi Rama duhet të jepte përgjigje për vjedhjen e pronës publike të provuar me dokumentet e rastit të hotelit Zig-Zag, duke qenë që përgjigje nuk jepte dot zgjodhi shpifjen.

Përlyerja e kauzave publike me gënjeshtra të dukshme është mjet i qëllimshëm i asfiksimit të kauzës dhe oksigjenimit të kësaj qeverie që ka vjedhur pronat publike e private të shqiptarëve dhe kërkon të fshihet pas shpifësave të saj.

Duke përfunduar Sali Berisha mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, por natyrisht jo shpifjet dhe shpifësit që e dëmtojnë kauzën e saj”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme