Përplasje në Aeroportin e Vlorës, tensione mes punonjësve të MABCO-s dhe sigurisë së kompanisë 2A Group
Një situatë e tensionuar është regjistruar këtë të hënë në kantierin e Aeroportit të Vlorës, ku janë shënuar përplasje mes punonjësve të kompanisë MABCO të biznesmenit, Behgjet Pacolli, nënkontraktorëve të saj dhe personelit të sigurisë së kompanisë 2A Group.
Sipas informacioneve paraprake, punonjësit e kompanisë së Pacollit kanë tentuar të hyjnë në ambientet e aeroportit për të vijuar punimet, por janë përballur me kundërshtimin e forcave të sigurisë që ruanin kantierin. Situata ka shkaktuar tensione dhe debate mes palëve, ndërsa përfaqësuesit e MABCO-s kanë kërkuar të futen në brendësi të kantierit duke argumentuar se po zbatojnë vendimin e Gjykatës së Lartë.
Përplasjet nisën fillimisht në hyrje të kantierit mes punonjësve të sigurisë dhe përfaqësuesve të MABCO-s, ndërsa më pas tensionet vijuan edhe në brendësi, pranë zyrave të aeroportit.
Prej disa javësh, përfaqësues të MABCO-s kanë qëndruar jashtë kantierit, duke protestuar dhe kërkuar rikthimin në punime. Situata e tensionuar u rikthye sërish këtë të hënë, me përplasje mes përfaqësuesve të dy kompanive dhe personelit të sigurisë.
Mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhjeje do të gjendet për vijimin e punimeve në kantierin e Aeroportit të Vlorës, ndërsa palët vijojnë të mbajnë qëndrime të kundërta mbi administrimin dhe ecurinë e projektit.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




