Festa e Çobanit gjallëron Bogën, organizohet për të tretin vit, sjell në vëmendje traditën baritore

Sociale | 4 muaj më parë

Për të tretin vit radhazi, në Bogë të Malësisë së Madhe u organizua “Festa e Çobanit”, një aktivitet që sjell në vëmendje traditën baritore të kësaj treve.

Aktiviteti nisi me parakalimin e tufave të deleve, një simbol i gjallë i transhumancës dhe i jetës pastorale që prej brezash ka karakterizuar këtë trevë malore.

Më pas, atmosfera festive vijoi me muzikë, këngë dhe valle tradicionale, duke mbledhur së bashku banorë, turistë dhe dashamirës të kulturës shqiptare.

“Dua të falënderoj gjithsecilin që ka marrë pjesë sot këtu. Shijoni çdo gjë që ka, shijoni natyrën e Bogës në maksimum, me të gjithë muzikën dhe me të gjitha ushqimet.”-GËZIM OLAJ, Organizator

Bukuritë natyrore të Bogës kanë tërhequr cdo vit vizitorë të shumtë. Gjë e cila sipas deputetit të zonës Bujar Rexha ka vënë në lëvizje institucionet për më shumë investime

“Ka zona shumë të bukura turistike ku Boga zë një vend të veçantë. Duke parë iniciativat e individëve, edhe qeveria shqiptare ka bërë të mundur investime të rëndësishme, sidomos me rrugën, dhe shumë shpejt do të zgjidhim problemin përfundimtar të furnizimit me energji elektrike, e cila ka qenë problematike. Një tjetër projekt që është shumë i rëndësishëm dhe për të cilin po punojmë fort është zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë.”

Festa e Çobanit në Bogë mbetet një urë mes traditës dhe së ardhmes, duke dëshmuar se trashëgimia kulturore mund të shërbejë si motor zhvillimi për zonat malore.

M Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme