Neritan Alibali: Organizatorët po e nacionalizojnë protestën, duke e kthyer në proces politik të brendshëm
Analisti Neritan Alibali, i ftuar në emisionin “3D” të moderuar nga gazetari Alban Dudushi, ka komentuar mbi zhvillimet e fundit të protestës, duke u ndalur te kërkesat e artikuluara nga protestuesit.
Ai theksoi se, ndonëse ka një kornizim më të qartë politik, protesta nuk ka evoluar në një stad më të lartë.
“Protestuesit sot flasin për një kushtetutë të re, por kjo presupozon që të ketë ndryshime kushtetuese. Dhe janë këto ndryshime që janë artikuluar më parë. Mua nuk më duket që ka evoluar në një stad më të lartë protesta, por më tepër po shoh që organizatorët po e kornizojnë protestën në një platformë politike.”
Alibali shtoi se protesta është kritikuar nga grupe të ndryshme, politika të huaja dhe media ndërkombëtare, të cilat e kanë pasqyruar si një lëvizje kundër dhëndrit të Presidentit Trump, Jared Kushner.
Sipas tij, organizatorët tani po e “nacionalizojnë” protestën dhe po e orientojnë vetëm në drejtimin që gjithmonë kanë artikuluar.
“Është kritikuar që grupet e ndryshme, politika të huaja apo media ndërkombëtare e kanë pasqyruar këtë si protestë kundër dhëndrit të Presidentit Trump, Kushner. Mesaduket organizatorët tani po e nacionalizojnë dhe po e kornizojnë që protesta të orientohet vetëm në këtë drejtim që gjithmonë kanë artikuluar.”
Analisti vuri në dukje se ndryshimi i vetëm i ditës së sotme lidhet me daljen publike të Dritan Goxhajt, i cili gjatë tubimit, në emër të grupit koordinues të protestës, lexoi një deklaratë të rëndësishme politike.
“I vetmi ndryshim sot është që këto pika janë lexuar nga Dritan Goxhaj, i cili sikurse tha dhe vetë, gjatë tubimit të sotëm, në emër të grupit koordinues të protestës, ka dalë me një deklaratë të rëndësishme politike, duke shpalosur kërkesat zyrtare dhe të panegociueshme të përpiluara pas propozimeve të marra nga qytetarët përgjatë më shumë se tri javëve të qëndresës.”
Kërkesat kryesore të protestës të shpallura sot:
– Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë.
– Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
– Ndryshime kushtetuese.
– Kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike të një individi. Etj…
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




