Helmohen sërish 60 studentë të Akademisë së Sigurisë, dërgohen në QSUT. AKU merr mostrat ushqimore

Aktualitet | 4 muaj më parë

Helmohen sërish 60 studentë të Akademisë së Sigurisë, që dyshohet nga ushqimi i konsumuar. Ky është rasti i dytë brenda pak muajve që studentët helmohen nga ushqimi i konsumuar në Akademi.

Sipas Policisë Tiranë në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë janë paraqitur në Repartin Infektiv të QSUT-së me simptoma si temperaturë dhe diarre.

Sipas autoriteteve, kursantët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë me të njëjtat simptoma, të cilët janë dërguar për trajtim në QSUT. Në total, 60 kursantë kanë marrë ndihmë mjekësore brenda pak orësh.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e situatës.

Sipas burimeve, studentët kanë konsumuar për darkë pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë.

Të gjithë kursantëve u janë bërë analizat mjekësore dhe pritet dalja e rezultateve për identifikimin e shkakut të simptomave. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ky është rasti i dytë i raportuar brenda pak muajsh në Akademinë e Sigurisë, ku kursantë të institucionit kanë shfaqur probleme shëndetësore të ngjashme, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtet dhe sigurinë ushqimore.

Më herët  56 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital pas helmimit nga ushqimi i konsumuar në institucion. Nga mostrat ushqimore rezultoi se makaronat rezultuan me nivel mbi normë të bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv.

Për rastin, AKU njoftoi se subjekti SORI-AL, që ofronte kateringun e akademisë, u gjobit me 1.5 milionë lekë dhe aktiviteti i tij u pezullua deri në kryerjen e pastrimit dhe dezinfektimit të ambienteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme