Ndërhyrja nga ajri shpëton kodrat e Hekalit, helikopteri i FA dhe mbi 40 forca vënë nën kontroll zjarrin në Mallakastër

Aktualitet | 4 muaj më parë

Ndërhyrja e koordinuar nga ajri dhe toka ka bërë të mundur vënien plotësisht nën kontroll të zjarrit masiv që përfshiu kodrat e Hekalit, në Bashkinë e Mallakastrës. Operacioni i forcave të shpëtimit ka zgjatur gjatë gjithë ditës, ku vendimtar ka qenë angazhimi i helikopterit të Forcave të Armatosura, i cili lokalizoi dhe izoloi vatrat më kritike.

Drejtori i repartit zjarrfikës të Bashkisë Mallakastër, Mandi Aliaj, bëri të ditur se kjo ishte vatra e fundit dhe njëherësh më e vështira për t’u menaxhuar. Terreni i thepisur dhe i paarritshëm nga rrugët tokësore krijoi vështirësi të mëdha për mjetet, duke e bërë mbështetjen nga ajri jetike për suksesin e operacionit.

Në terren u mobilizua një strukturë e gjerë operacionale, e cila përfshinte 8 automjete zjarrfikëse; 2 autobote uji; mbi 40 efektivë (përfshirë zjarrfikës dhe trupa të Forcave të Armatosura).

Sipas autoriteteve lokale, situata aktualisht paraqitet plotësisht e qetë dhe është eliminuar çdo rrezik për përhapjen e mëtejshme të flakëve. Trupat në terren po vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur çdo rindezje të mundshme të zjarrit në mjedisin e mbuluar nga dendra e shkurreve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme