Bardhi i bën thirrje SPAK-ut: Të kërkojë sërish heqjen e imunitetit për Ballukun
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, i bën apel SPAK-ut t’i drejtohet sërish Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
Në një komunikim të posaçëm për mediat, Bardhi tha se kërkesa e parë e SPAK-ut u refuzua nga shumica me argumentin se ndaj saj nuk kishte akuzë për korrupsion.
Tani që kjo akuzë është ngritur ndaj Ballukut, thekson Bardhi, SPAK-u duhet t’i drejtohet sërish Kuvendit, ndërsa nënvizoi se dyshimet janë të forta se SPAK-u po mban standard të dyfishtë për këtë çështje.
“Pse jemi përpara një standardi të dyfishtë? Sepse në dhjetor Prokuroria e Posaçme kërkoi heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut, duke u mbështetur në një standard që sot nuk po e zbaton. Kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit.”
Jo vetëm ligji është i njëjtë, thotë Bardhi, por edhe qasja e kryeministrit Rama nuk ndryshon për të mbrojtur të korruptuarit pranë tij.
“Prokuroria e Posaçme ka vetëm një mënyrë për të kaluar testin e besueshmërisë në çështjen Balluku: të mos bëjë politikë sipas interesave të momentit apo gjendjes politike të kryeministrit, të mos bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike, por të zbatojë vetëm ligjin.”
Bardhi tha se çështja Balluku është tashmë ndërkombëtarisht e njohur dhe penalizuese për ecurinë e procesit integrues të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




