Protestat në Tiranë hyjnë në ditën e 32-të, qytetarët para Kryeministrisë: Nesër në orën 10:00 para Kuvendit

Aktualitet | 4 muaj më parë

Protestat në kryeqytet kanë vijuar edhe sot, duke shënuar ditën e 32-të të tubimeve në rrugë.

Grumbullimi i qytetarëve nisi fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, prej nga u zhvillua një marshim përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit marrin fjalën për të shprehur qëndrimet dhe kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.

“Prona te i zoti sjell begati dhe qetësi sociale” si dhe “mbrojtja e pronës sjell shtetin e së drejtës” ishin dy pankarta e mëdha të hapura në qendër të protestuesve para Kryeministrisë.

Një prej protestuesit bëri thirrje për protestë para Kuvendit ditën e nesërme për të penguar hyrjen e deputetëve.

“Njoftim për nesër, në orën 10:00, është se do të ndalojmë deputetët që të hyjnë në parlamentin tonë. Siç e kemi parë të gjithë, dje forcat e policisë kanë ushtruar një dhunë të neveritshme ndaj protestuesve paqësorë që ka parë Europa këto 10 vitet e fundit, prandaj të gjithë bashkë te Kuvendi nesër në orën 10.00. Policia të kenë shumë kujdes se kë prekin me dorë, se qytetarët shqiptarë kanë në dorë jo vetëm t’i pushojnë nga puna, por edhe t’i çojnë në burg. Parlamenti është i yni dhe jo i atyre”, tha protestuesi.

Në fokus të kërkesave të protestuesve mbetet anulimi i disa nismave ligjore të qeverisë. Ndër to veçohet kërkesa për shfuqizimin e “Paketës së Maleve”, të cilën organizatorët e konsiderojnë të dëmshme për zonat malore, si dhe shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike, që sipas tyre favorizon përvetësimin e pasurive publike dhe zonave të mbrojtura.

Gjithashtu, protestuesit kërkojnë edhe hapjen e rrugës për përfshirjen e brezave të rinj në politikë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme