Rama: Shqipëria po ndërton modelin e parë të inteligjencës artificiale për prokurimet publike, testimi në mes të 2027-ës. Eleminojmë problematikat me tenderat
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po punon për të zhvilluar modelin e parë të inteligjencës artificiale për prokurimet publike, një projekt që sipas tij synon të revolucionarizojë mënyrën e administrimit të fondeve publike dhe të eliminojë problematikat me tenderat dhe kontratat. Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit në kuadër të Javës së Administratës Publike, Rama bëri të ditur se projekti po zhvillohet në bashkëpunim me disa nga fuqitë më të mëdha botërore në fushën e teknologjisë.
Sipas kreut të qeverisë, modeli është ende në fazë zhvillimi dhe, nëse rezulton i suksesshëm, do të testohet në mesin e vitit 2027, për të hyrë plotësisht në funksion gjatë vitit 2028.
“Shqipëria është duke punuar për të pasur modelin e parë të inteligjencës artificiale për të bërë prokurimet publike. Është një model kompleks që nuk ekziston dhe ne po punojmë me disa fuqi të mëdha në botën e teknologjisë për ta realizuar. Nëse do të jetë i suksesshëm, do të testohet në mesin e vitit 2027 për të hyrë plotësisht në punë në vitin 2028. Kur të jetë efektiv, do ta heqë gjithë problematikën e tenderave dhe kontratave për fondet publike. Do ta bëjë zero”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te procesi i digjitalizimit të administratës, duke njoftuar se ka përfunduar digjitalizimi i plotë i dokumentacionit të Kadastrës, një proces që u realizua me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Para pak ditësh mbaroi puna titanike për digjitalizimin e Kadastrës, kartelave, dokumentacionit dhe hartave, me mbështetjen e BE-së dhe brenda afatit të përcaktuar sipas Planit të Ri të Rritjes. Tani nis faza e ndërtimit të sistemit që do ta bëjë përfundimisht Kadastrën një shërbim si gjithë të tjerët, që merren online”, tha ai.
Rama theksoi se transformimi digjital ka sjellë ndryshime të mëdha në marrëdhënien e qytetarëve me shtetin, duke eliminuar radhët për marrjen e dokumenteve dhe duke mundësuar ofrimin e shumicës së shërbimeve publike përmes telefonit.
Ai shtoi se Shqipëria synon të ndërtojë një administratë sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe se përmirësimet e qëndrueshme nuk varen nga individët apo ndryshimet politike, por nga ndërtimi i sistemeve efikase.
“Digjitalizimi na hoqi radhët për të marrë një copë letër dhe na bëri një nga vendet me numrin më të madh të shërbimeve që merren nga telefoni. Ata që jetojnë jashtë vendit sot e marrin shtetin e tyre në telefon, pa pasur nevojë të presin pushimet për të bërë dokumentet”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




