Zjarrfikësit shtojnë masat për verën, stacion i përkohshëm në Velipojë dhe gatishmëri e plotë gjatë verës

Aktualitet | 4 muaj më parë

Temperaturat e larta dhe sezoni turistik e bëjnë verën periudhën më të vështirë për zjarret. Për këtë arsye, Shërbimi Zjarrfikës i Shkodrës ka shtuar gatishmërinë në të gjithë territorin e bashkisë. Në një intervistë për RTSH, drejtori i MZSH-së, Agim Ponari, thotë se shërbimi është në gatishmëri të plotë, me efektivët dhe mjetet e nevojshme për të ndërhyrë në çdo emergjencë.

“Kemi shtuar edhe 12 efektive të rolit bazë dhe na bën shumë më optimist për të përballuar me sukses situatat. Stina e verës kërkon mjete dhe efektivë. Kemi bashkëpunim mjaft të mirë me të gjitha drejtoritë e bashkisë. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë edhe me institucionin e prefektit të qarkut”, tha ai.

Për të mbuluar zonën turistike të Velipojës, që nga 15 qershori është vendosur një stacion i përkohshëm zjarrfikës, i cili do të funksionojë 24 orë në ditë deri në muajin shtator. Ponari thekson se disa zona të Bashkisë Shkodër mbeten me rrezik të lartë për zjarret. Sipas tij, përveç temperaturave të larta, shkaku kryesor i zjarreve vijon të jetë pakujdesia e njerëzve.

“Gjatë viteve të tjera kanë qenë zona e Vukatanës, Gurit të Zi, ish-fusha e aviacionit, zona e Bërdicës, Mali Hebe, zona e Oblikës”, theksoi Ponari.

Sipas statistikave të MZSH-së, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë kryer 184 ndërhyrje, nga të cilat 151 për zjarre dhe 33 për shpëtime, pa asnjë të plagosur apo viktimë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i ndërhyrjeve është ulur me 27%.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme