Kontrolli teknik i makinave, Task Forca e Transportit Rrugor verifikime në terren
Nëse nuk ke shlyer detyrimet vjetore për mjetet motorike apo nuk ke bërë kontrollin teknik të tyre, gjatë verës në rrugët me fluks të lartë mjetesh, veç Policisë Rrugore do të kesh përballë edhe inspektorët e Task Forcës së Transportit Rrugor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
“Është një lloj fushate për identifikimin e të gjithë atyre mjeteve që qarkullojnë në rrugë pa kolaudim dhe pa shlyer taksat. Fushata do të jetë mbarëkombëtare dhe do të jemi të pozicionuar në të gjitha akset kryesore të vendit tonë“, tha Erald Totri, përfaqësues i DPSHTRR.
Të premten kontrollet u kryen në autostradën Lushnjë–Fier, ku makina inteligjente e Task Forcës në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor identifikonte në mënyrë elektronike targat e mjeteve të pakolauduara, dhe kryhej më pas ndalimi i drejtuesit të mjetit nga |Policia Rrugore, ku i bëhej me dije arsyeja.
“Kjo teknologji na mundëson transparencë dhe saktësi“, u shpreh Totri.
Fushata synon rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kryerjes së kontrollit teknik të mjeteve, duke theksuar se ai nuk duhet të konsiderohet vetëm si një detyrim ligjor, por edhe si një përgjegjësi ndaj jetës.
“Për ne, si drejtori dhe si institucion publik, më shumë rëndësi ka ndërgjegjësimi. T’i kujtojmë çdo qytetari dhe çdo përdoruesi mjeti sa e rëndësishme është të dalësh në rrugë me një mjet që garanton siguri teknike, për sigurinë e drejtuesit dhe të gjithë përdoruesve të tjerë të rrugës“, theksoi Totri.
Objekt i kontrolleve, që do të shtrihen gjatë muajve të verës, janë të gjitha mjetet, si ato private ashtu edhe ato të institucioneve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




