Rrezikuan pushuesit me mjete lundruese pranë bregut, policia gjobit me nga 500 mijë lekë dy drejtues dhe u bllokon mjetet
Dy drejtues mjetesh lundruese janë ndëshkuar me gjoba të majme nga Policia Kufitare e Vlorës, pasi u konstatuan duke lëvizur në afërsi të bregut dhe duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë evidentuar një rast në plazhin e Semanit, ku drejtuesi i një mjeti lundrues tip Jet Ski kishte lundruar pranë bregut, në zonën e pushuesve.
Për këtë shkelje, shtetasi E. D. u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues iu bllokua administrativisht.
Ndërkohë, gjatë patrullimeve në sektorin e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një tjetër mjet lundrues tip gomone, i cili lëvizte në mënyrë të paligjshme pranë pushuesve.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi J. H., nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues. Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendos gjobë prej 510 mijë lekësh të rinj, si dhe u bë bllokimi administrativ i mjetit.
Policia e Shtetit ka apeluar ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë dhe se ndaj çdo shkelësi do të merren masa të menjëhershme me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së pushuesve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




