Sherif Kallaku rikthehet te Teuta

Lëvizje në merkaton e futbollit shqiptar. Sherif Kallaku nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë, pasi mesfushori ofensiv është transferuar zyrtarisht te Teuta, klub ku rikthehet pas eksperiencave të mëparshme në Durrës.
Klubi shkodran konfirmoi arritjen e marrëveshjes me Teutën për transferimin e 28-vjeçarit dhe i shprehu mirënjohjen futbollistit për profesionalizmin dhe kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu.
Në reagimin e saj zyrtar, Vllaznia shkruan: “Falënderojmë Sherifin për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu gjatë kohës që ishte pjesë e klubit tonë. I urojmë suksese në vazhdim të karrierës së tij sportive.”
Nga ana tjetër, Teuta e ka pritur me entuziazëm rikthimin e Kallakut, duke e cilësuar atë si një rikthim “në shtëpi”. Klubi durrsak beson se eksperienca, cilësia dhe lidershipi i mesfushorit do të jenë një vlerë e shtuar për objektivat e sezonit të ri.
“Mirë se vjen në shtëpi, Sherif!” – ishte mesazhi i Teutës në prezantimin zyrtar të futbollistit. Klubi nënvizoi se Kallaku rikthehet për të vënë në shërbim të skuadrës cilësinë, eksperiencën dhe energjinë e tij.
Për 28-vjeçarin ka veshur fanellën e Teutës në periudhën 2018–2020, ndërsa më pas provoi edhe një aventurë jashtë Shqipërisë me Sepsi. Tashmë, pas një sezoni te Vllaznia, Kallaku nis një kapitull të ri në Durrës, me synimin për të qenë një nga liderët e skuadrës bregdetare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




