Berisha merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI në Bruksel, në cilësinë e Zëvendëspresidentit të organizatës

Politikë | 4 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Centrist Democrat International (IDC-CDI), organizatës më të madhe politike të qendrës së djathtë në botë, ku ushtron detyrën e Zëvendëspresidentit.

Asambleja ka mbledhur në Bruksel liderë politikë, ish-presidentë, eurodeputetë dhe përfaqësues të partive anëtare nga Evropa, Amerika Latine, Afrika dhe Azia për të diskutuar zhvillimet politike globale, sfidat ndaj demokracisë, forcimin e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Punimet u hapën nga Presidenti i IDC-CDI, ish-Presidenti i Kolumbisë Andrés Pastrana, ndërsa raportin e Sekretarit të Përgjithshëm e paraqiti eurodeputeti Antonio López-Istúriz. Axhenda e Asamblesë përfshin fjalime të personaliteteve politike, diskutime në sesionin plenar me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe drejtues të partive anëtare, si edhe miratimin e rezolutave mbi çështjet kryesore të politikës ndërkombëtare.

Në cilësinë e Zëvendëspresidentit të IDC-CDI, Berisha është pjesë e drejtimit të punimeve të këtij forumi, i cili përfaqëson një nga platformat më të rëndësishme të bashkëpunimit mes forcave politike të qendrës së djathtë në nivel global.

Sipas njoftimit për shtyp, pjesëmarrja e tij në këtë Asamble rikonfirmon rolin aktiv të Partisë Demokratike në forumet ndërkombëtare dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve me partnerët politikë që ndajnë vlerat e demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme