U vra pasi refuzoi martesën e imponuar me kushëririn, Gjykata e Lartë në Itali konfirmon dënimet për familjarët e 18-vjeçares pakistaneze

Gjykata e Lartë italiane (Kasacioni) ka konfirmuar dënimet për familjarët e Saman Abbas, 18-vjeçares pakistaneze të vrarë në Novellara të provincës së Reggio Emilia-s në vitin 2021. Vendimi përfundon një nga çështjet më të ndjekura gjyqësore në Itali, duke lënë në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm për prindërit dhe dy kushërinjtë e viktimës, ndërsa xhaxhai i saj është dënuar me 22 vite burg.
Sipas vendimit, Shabbar Abbas dhe Nazia Shaheen, prindërit e Samanit, si dhe kushërinjtë Ikram Ijaz dhe Nomanhulaq Nomanhulaq, do të vuajnë dënimin maksimal, ndërsa Danish Hasnain, xhaxhai i vajzës, do të vuajë 22 vite burg. Dënimet ishin kërkuar të konfirmoheshin edhe nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Kasacionit.
Saman Abbas u zhduk në prill të vitit 2021, pasi kishte kundërshtuar një martesë të detyruar dhe kishte kërkuar të jetonte e lirë. Hetimet çuan në akuzat ndaj familjarëve të saj, ndërsa trupi i saj u gjet më vonë në zonën pranë banesës ku jetonte familja në Novellara.
Gjatë procesit, prokuroria e ka cilësuar ngjarjen si një krim të planifikuar, të kryer për shkak të përpjekjes së Samanit për të zgjedhur vetë jetën e saj. Sipas akuzës, vrasja ishte organizuar nga familjarët si një akt ndëshkimi ndaj saj.
Vendimi i Kasacionit mbyll një proces të gjatë që nisi pas zhdukjes së 18-vjeçares dhe që shkaktoi reagime të forta në Itali, duke u kthyer në një simbol të debatit mbi dhunën ndaj grave dhe martesat e detyruara.
NGJARJA
Historia e Saman Abbas, e cila u zhvillua në Novellara, në provincën e Reggio Emilia-s, mes prillit dhe korrikut të vitit 2021, tronditi Italinë dhe solli në vëmendje realitetin e dhunës ndaj grave, veçanërisht në komunitete ku traditat patriarkale mbizotërojnë ende.
Saman, e lindur në Pakistan në vitin 2003, ishte transferuar në Itali me familjen kur ishte vetëm 14 vjeçe. Ajo ëndërronte një jetë ndryshe nga ajo që familja kishte planifikuar për të, një jetë me arsim, liri dhe dashuri. Ajo ishte dashuruar me një djalë italian dhe dëshironte të ndërtonte të ardhmen e saj me të, duke refuzuar martesën e detyruar me një kushëri në Pakistan, një martesë që, sipas akuzës, prindërit e saj ia kishin imponuar që në moshë të vogël.
Kërkesa e saj për të zgjedhur vetë jetën u përplas me reagimin e dhunshëm të familjes. Në korrik të vitit 2020, Saman iu drejtua shërbimeve sociale, ku denoncoi kërcënimet dhe dhunën që pretendonte se kishte përjetuar në shtëpi. Ajo u vendos në një komunitet të mbrojtur, por pas disa muajsh u largua prej andej, e vendosur të jetonte e lirë dhe të ndiqte ëndrrat e saj.
Por liria e saj zgjati pak. Më 30 prill 2021, Saman u zhduk pa lënë gjurmë. Hetimet e Prokurorisë së Reggio Emilia-s zbuluan një skenar tragjik: sipas akuzës, ajo u vra nga familjarët pasi refuzoi martesën e imponuar. Ata e kishin mbytur dhe më pas trupi i saj ishte fshehur në një zonë rurale pranë banesës së familjes.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




