Trump rikthen presionin ekonomik ndaj Brazilit, nga 22 korriku hyjnë në fuqi tarifat e reja prej 25% për mallrat e importuara

Botë | 4 muaj më parë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa prej 25% ndaj disa produkteve të importuara nga Brazili, pas përfundimit të një hetimi njëvjeçar që, sipas Uashingtonit, ka evidentuar praktika tregtare “të padrejta” nga ana e qeverisë braziliane. Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, njoftoi masat e reja në një deklaratë të publikuar mbrëmjen e djeshme, duke argumentuar se politikat braziliane dëmtojnë interesat ekonomike të amerikanëve. Sipas tij, hetimi ka evidentuar probleme që lidhen me tregtinë digjitale, tarifat preferenciale, aksesin në tregun e etanolit dhe fusha të tjera ekonomike.

Tarifat e reja, të propozuara fillimisht muajin e kaluar, do të hyjnë në fuqi më 22 korrik. Megjithatë, disa produkte do të përjashtohen nga masat, veçanërisht mallrat që mund të ndikojnë në zinxhirët e furnizimit dhe ato që nuk prodhohen në Shtetet e Bashkuara. Në listën e përjashtimeve përfshihen disa lëndë të para, produkte farmaceutike dhe kafeja. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi qeverinë e presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, duke deklaruar se politikat ekonomike të Brazilit janë të dëmshme si për amerikanët ashtu edhe për qytetarët brazilianë. Sipas tij, qeveria e Lulës nuk ka negociuar në mënyrë të sinqertë me SHBA-në.

Pavarësisht vendosjes së tarifave, Uashingtoni ka lënë të hapur mundësinë e vijimit të negociatave me Brazilin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Hetimi ndaj Brazilit u nis në korrik të vitit të kaluar, në bazë të nenit 301 të Ligjit për Tregtinë të vitit 1974, një mekanizëm që përdoret nga SHBA për të kundërshtuar praktika të huaja tregtare që konsiderohen se dëmtojnë konkurrencën dhe ekonominë amerikane. Vendimi vjen pas një periudhe tensionesh mes administratës së presidentit Donald Trump dhe qeverisë braziliane. Në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, Trump kishte njoftuar fillimisht tarifa prej 50% ndaj Brazilit, por më pas kjo masë u reduktua, ndërsa ai kishte kritikuar gjithashtu qeverinë braziliane për trajtimin e ish-presidentit Jair Bolsonaro.

Masat tregtare ndaj Brazilit vijnë në një kohë kur Uashingtoni po përdor gjithnjë e më shumë tarifat si instrument presioni ekonomik ndaj vendeve që konsideron se ndjekin politika të pafavorshme për interesat amerikane. Ndryshe nga raste si Kina, e cila ka një suficit të madh tregtar me SHBA-në, Brazili kishte një suficit tregtar amerikan prej 14.4 miliardë dollarësh vitin e kaluar, rreth 112.8% më shumë krahasuar me një vit më parë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme