OBSH: AI në mjekësi pa kontroll. Teknologjia po përdoret pa rregulla, rrezikohen diagnoza të gabuara për pacientët
Inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si funksionojnë sistemet shëndetësore në Europë, por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për mungesën e rregullave që duhet të shoqërojnë këtë zhvillim.
Drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Henri P. Kluge, tha se hendeku mes përdorimit të teknologjisë dhe rregullimit të saj është bërë një sfidë serioze. Sipas tij, sa më gjatë të mungojnë rregullat e qarta, aq më të mëdha do të jenë pasojat për pacientët.
Kluge paralajmëroi se algoritmet e paragjykuara mund të çojnë në diagnoza të gabuara dhe të rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e njerëzve. Të dhënat e OBSH-së tregojnë se dy të tretat e vendeve të rajonit europian përdorin tashmë inteligjencën artificiale për diagnostikim. Rreth gjysma e tyre kanë edhe chatbot-e që komunikojnë me pacientët përmes kësaj teknologjie.
Megjithatë, vetëm një në dymbëdhjetë vende ka një strategji të posaçme për qeverisjen e inteligjencës artificiale në shëndetësi. Raporti tregon gjithashtu se vetëm 8 për qind e vendeve kanë hartuar një strategji kombëtare për përdorimin e saj në këtë sektor.
Ndërkohë, afro 40 për qind e shteteve nuk kanë ende udhëzime etike për përdorimin e inteligjencës artificiale në institucionet shëndetësore. OBSH u bëri thirrje vendeve europiane të veprojnë sa më shpejt për të garantuar që zhvillimi i teknologjisë të shoqërohet me siguri, transparencë dhe mbrojtje për pacientët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




