Deklarata e ministres serbe për Kosovën/ Rama: S’biem në kor histerik sa herë del ndonjë “çyryk” në Beograd, kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm

Politikë | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi deklaratën e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunoviç, e cila deklaroi për mediet në Serbi “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”

Në një postim në rrjetin social X, Rama shkruan se nuk është detyrë e çdo institucioni dhe autoriteti shqiptar të reagojë ndaj çdo “idiotësie” të thënë në Serbi.

“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se Shqipëria ka reaguar zyrtarisht përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet serioz që respekton veten.

“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, – vijon Rama.

Ai thekson se edhe ata që nxitojnë të reagojnë publikisht ndaj çdo deklarate provokative nga Serbia, duke i quajtur ata “reagues të rastit” që kërkojnë “kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front”.

Sipas Ramës, një sjellje e tillë tregon mungesë serioziteti dhe meriton vetëm keqardhje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme