Hungari, legjenda e shahut propozohet për president/Nëse pranon, Judit Polgar zëvendëson ish-aleatin e Orbanit, Sulyok

E njohur si lojtarja më e fortë grua e shahut në histori, Judit Polgar është e përzgjedhura e kryeministrit Peter Magyar për postin e presidentes së Hungarisë. “Vendi ynë ka nevojë për unitet, paqe dhe një presidente për të cilën të gjithë hungarezët të jenë krenarë”- shkroi Magyar në një postim në Facebook, duke njoftuar se ai do të takohet me Polgar për ta pyetur nëse ajo është e gatshme t’i shërbejë vendit në atë detyrë.
Judit Polgar, e cila brenda pak ditësh feston ditëlindjen e 50-të, ruajti pozicionin e saj si numri 1 në botë në shahun e femrave nga viti 1989 deri në tërheqjen nga garat në 2014, një periudhë prej më shumë se 26 vitesh, të njohur zyrtarisht edhe nga Libri i Rekordeve Guinness.
Në atë vit ajo u tërhoq nga garat, por jo nga bota e shahut pasi Polgar shkroi një seri librash për fëmijë rreth asaj loje. Ajo gjithashtu krijoi “Fondacionin e Shahut Judith Polgár”, për ta bërë atë lojë pjesë të kurrikulës së studimeve kombëtare në Hungari, duke e konsideruar sportin si një aftësi të zgjidhjes së problemeve dhe të të menduarit strategjik.
Propozimi i Magyar erdhi pasi parlamenti hungarez miratoi javën e kaluar një ndryshim kushtetues që i hapi rrugë largimit nga detyra presidentit aktual Tamas Sulyok, një aleat i ish-kryeministrit Viktor Orban, të cilin kryeministri e rrëzoi nga pushteti pas 16 vitesh në detyrë gjatë zgjedhjeve të këtij viti. Dita e fundit e Tamas Sulyok si president ishte e diela. Agnes Forsthoffer, kryetarja e parlamentit, do të shërbejë përkohësisht në postin e kreut të shtetit derisa parlamenti të zgjedhë një president të ri brenda 30 ditëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




