Zelensky emëron komandantin e ri të ushtrisë dhe rikthen ministrin e Mbrojtjes në një “pozicion të rëndësishëm” pas protestave në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka shkarkuar komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, dhe i ka ofruar një “pozicion të rëndësishëm” ish-ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, të cilin e kishte shkarkuar javën e kaluar. Ky veprim shkaktoi protesta në mbarë vendin.
Në një fjalim televiziv të mbajtur vonë në mbrëmje, Zelensky njoftoi se kishte emëruar gjeneralin Mykhailo Drapatyi, i njohur për popullaritetin dhe qasjen inovative, si komandantin e ri të forcave të armatosura të Ukrainës. Sipas presidentit, Drapatyi do të mbikëqyrë një riorganizim të strukturës së komandës së ushtrisë.
Zelensky deklaroi gjithashtu se po e rikthente Fedorovin në qeveri, pasi shkarkimi i tij nga posti i ministrit të Mbrojtjes kishte nxitur mijëra njerëz të protestonin në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase, duke shkaktuar një nga krizat më të mëdha politike që nga pushtimi rus i vitit 2022.
Presidenti ukrainas vlerësoi Syrskyin për kontributin e tij në mbrojtjen e Kievit dhe për drejtimin e kundërofensivës në rajonin rus të Kurskut gjatë verës së vitit 2024, ku për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore tanke të huaja hynë në territorin rus.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë. Mbrojtja e Ukrainës vazhdon. Dhe çdo ushtar meriton të trajtohet me dinjitet,” tha Zelensky, duke shtuar se ishte mirënjohës ndaj Syrskyi-t dhe çdo ushtari që lufton në vijën e frontit.
Me këtë ndryshim të madh në drejtimin e ushtrisë, Zelensky shpreson të qetësojë protestuesit, të cilët kishin dalë në rrugë duke kërkuar largimin e Syrskyit. Ata kishin vendosur afat deri të premten për rikthimin e Fedorovit si ministër dhe kishin paralajmëruar protesta të pakufizuara nëse kërkesa e tyre nuk plotësohej.
Fedorov përshëndeti emërimin e Drapatyi-t, duke deklaruar: “Ky është një frymëmarrje e re dhe një shpresë e re për luftën e njerëzve të lirë për liri dhe drejtësi. Është zëri i ndryshimit që nuk mund të injorohej.”
Ai shtoi: “Pritshmëritë e larta të popullit ukrainas duhet të përmbushen me një vizion të qartë për përfundimin e luftës për pavarësi, me një ekip të fortë dhe me veprime vendimtare që synojnë shpëtimin e jetës së ushtarëve tanë, automatizimin e frontit, kryerjen e goditjeve asimetrike dhe dobësimin e ekonomisë ruse.”
Drapatyi, komandanti i ri i përgjithshëm, gëzon reputacion të mirë në ushtrinë ukrainase dhe mbështetje nga opinioni publik. Ai konsiderohet aleat i Fedorovit, përpjekjet e të cilit për të modernizuar ushtrinë dhe për të futur teknologji të reja çuan në përplasje me Syrskyin, i cili shihej si përfaqësues i një qasjeje më tradicionale ushtarake.
Gjeneral-majori Drapatyi komandon aktualisht grupin e forcave të përbashkëta të Ukrainës. Ai lufton kundër Rusisë që nga viti 2014, kur Moska nisi përpjekjet për të marrë kontrollin e rajonit të Donbasit. Ai u bë i njohur në mbarë Ukrainën pasi drejtoi një mjet luftarak këmbësorie mbi një barrikadë të ngritur nga separatistët pro-rusë në qytetin e Mariupolit.
Media ukrainase Babel e përshkruan Drapatyi-n si një nga komandantët më të aftë të Ukrainës në fushën e betejës, duke theksuar se detyra e tij e re do të përqendrohet më shumë në reformimin e institucionit ushtarak sesa në drejtimin e operacioneve luftarake.
Zelensky tha se kishte rënë dakord me Drapatyi-n që sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj objektivave në Rusi, si rafineritë e naftës, do të vazhdonin.
“Programi ynë i goditjeve precize do të zbatohet me saktësi absolute,” tha ai, duke premtuar një kalim të qetë të komandës pas largimit të Syrskyit.
Presidenti shtoi se komandanti i ri do të ketë detyrën të përditësojë strategjinë mbrojtëse të vendit dhe të reformojë strukturën e forcave të armatosura. Një tjetër sfidë urgjente mbetet mobilizimi, në një kohë kur, pas afro pesë vitesh lufte të plotë, gjithnjë e më pak ukrainas janë të gatshëm të dalin vullnetarë në front.
Ende nuk është e qartë se cili do të jetë roli i ri i Fedorovit, ndërsa disa raportime sugjerojnë se ai kishte kërkuar rikthimin në postin e ministrit të Mbrojtjes. Ky post tashmë është marrë nga Yevhen Khmara, ish-komandant i forcave speciale.

Zelensky tha se ishte takuar me Fedorovin të martën. “I ofrova Mykhailos një pozicion të rëndësishëm në qeveri, i cili do t’i mundësojë të bashkojë sektorin teknologjik të shtetit tonë dhe të sigurojë zhvillimin e tij,” tha presidenti, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në fund, Zelensky theksoi: “Dëshira jonë e përbashkët është vetëm një: fitorja ndaj armikut dhe krijimi i kushteve në front dhe i presionit ndaj Rusisë që ta detyrojnë atë të ecë drejt paqes. Kemi bërë një rrugë të rëndësishme, mbrojtja e Ukrainës vazhdon dhe çdo luftëtar meriton të trajtohet me dinjitet.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




