Qeveria miraton paketën e re për personat me aftësi të kufizuara, dyfishohet pagesa, njihen kontributet për ndihmësit personalë

Politikë | 3 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar paketën e re të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, e cila parashikon rritje të mbështetjes financiare dhe lehtësim të procedurave administrative.

Vendimi më i rëndësishëm i paketës është dyfishimi i masës së pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 750 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit. Kjo masë do të hyjë në fuqi me efekte financiare duke nisur nga 1 korriku 2026.

Sipas qeverisë, rritja e mbështetjes financiare synon të përmirësojë cilësinë e jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke mundësuar ndërhyrje të hershme, zhvillimin e aftësive, përfshirjen sociale dhe lehtësimin e barrës ekonomike për familjet e tyre.

Paketa sjell gjithashtu një lehtësim të rëndësishëm administrativ. Për rastet kur përfitimi është me afat disa vjeçar, nuk do të jetë më e nevojshme paraqitja çdo vit e dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, duke shmangur procedurat dhe kostot e panevojshme për përfituesit.

Një tjetër vendim i miratuar parashikon njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë të personave me aftësi të kufizuara. Për këtë masë është parashikuar një fond shtesë prej 674 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit, me efekt financiar duke filluar nga 1 shtatori 2026.

Qeveria thekson se kjo masë garanton trajtim të barabartë për ndihmësit personalë, duke njohur periudhën e shërbimit të tyre si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Sipas ekzekutivit, paketa synon gjithashtu të forcojë kujdesin në familje dhe të reduktojë nevojën për institucionalizimin e personave me aftësi të kufizuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme