Procesi i integrimit evropian, hapet rruga për Kodin e Ri Penal dhe ndryshimet në Procedurën Penale

Aktualitet | 3 muaj më parë

Qeveria ka miratuar një vendim që synon marrjen e masave urgjente për reformimin e plotë të paketës penale në vend, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Me propozim të Ministrit të Drejtësisë dhe bazuar në buxhetin e vitit 2026, vendimi ngarkon dikasterin e Drejtësisë për të udhëhequr procesin e hartimit të projektakteve përfundimtare.

Kodi i Ri Penal dhe rishikimi i Procedurës Penale

Vendimi i qeverisë përcakton qartë fushën e veprimit dhe objektivat kryesorë të kësaj nisme legjislative.

Lidhur me detyrat kryesore, në dokument përcaktohet se “marrja e masave për hartimin, konsolidimin dhe finalizimin e projektit përfundimtar të Kodit Penal të ri, të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, si dhe të akteve të tjera të legjislacionit penal, që preken nga këto ndryshime, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe reformimit të politikës penale në Republikën e Shqipërisë.”

Ministri i Drejtësisë do të jetë përgjegjës për organizimin dhe ndjekjen e drejtpërdrejtë të këtij procesi, me qëllim dërgimin e projektakteve për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave.

Grupet ad hoc të punës dhe përfshirja e ekspertëve

Për realizimin e kësaj reforme komplekse, pranë Ministrisë së Drejtësisë do të krijohen grupe pune të posaçme ad hoc, të cilat do të asistohen edhe nga një sekretariat teknik.

Sa i përket përbërjes së këtyre grupeve, vendimi saktëson se “grupet e punës përbëhen nga ekspertë të strukturave të hartimit të akteve në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera të interesuara, si dhe nga ekspertë të jashtëm, të fushës akademike, vendas e të huaj, me përvojë në hartimin e projektakteve me rëndësi të veçantë.”

Buxheti dhe shpërblimi i ekspertëve

Financimi i këtij procesi do të mbulohet tërësisht nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2026, në zërin “Shpenzime korente” të programit të administrimit.

Për trajtimin e ekspertëve të jashtëm, vendimi vendos një tavan të përcaktuar financiar.

“Ekspertët e jashtëm në grupet e punës dhe anëtarët e sekretariatit teknik shpërblehen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Vlera totale për secilin ekspert të jashtëm është jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë për një akt, vlerë e cila përballohet nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2026.”, thuhet në vendim.

Numri i ekspertëve dhe masa konkrete e shpërblimit do të përcaktohen nga Ministri i Drejtësisë, mbështetur në kontributin real të dokumentuar dhe produktin e dorëzuar për secilin akt. Zbatimi i menjëhershëm i këtij vendimi i është ngarkuar vetë Ministrisë së Drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme