Diplomohen 67 oficerë të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura, ministri Nufi: Investimi në dije është investim në sigurinë e vendit
Mbrëmjen e sotme (22 korrik), u zhvillua Ceremonia e Diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura. Aktiviteti shënoi një tjetër hap në procesin e transformimit të Akademisë sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe standardeve euroatlantike.
I pranishëm në ceremoni ishte ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili përgëzoi oficerët e rinj për përfundimin me sukses të kursit dhe vlerësoi rolin e Akademisë në formimin e drejtuesve të ardhshëm të Forcave të Armatosura.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se Shqipëria fiton një brez të ri oficerësh të përgatitur për t’i shërbyer atdheut, qytetarëve dhe për të përfaqësuar me dinjitet flamurin shqiptar. Ai bëri të ditur se nga 67 oficerët e diplomuar, 10 janë nga Kosova.
“Sot Shqipëria fiton një brez të mirë oficerësh, një brez të ri udhëheqësish të përgatitur mirë për ti shërbyer atdheut, qytetarëve dhe për të përfaqësuar me dinjitet flamurin shqiptar. 67 oficer të rinj, 10 prej të cilëve nga Kosova uroj përzemërsisht për përfundimin me sukses të Kursit të Përgatitjes së Oficerëve. Prej mbi 5 vitesh akademia e forcave te armatosura. Akademia sot është më tepër se një institucion arsimor është një vend ku formohen udhëheqësit me karakter, integritet dhe profesionalizëm të frymëzuar nga vlerat e detyrës nderit dhe atdheut. Ndaj bindjen se investimi në dije është i vetmi investim në sigurinë tonë të përbashkët në të ardhmen tonë”, u shpreh ministri Nufi.
Ministri u shpreh se oficerët e rinj që diplomohen nuk mbajnë vetëm një gradë ushtarake, por edhe besimin e një kombi, duke theksuar se ky besim merr një rëndësi të veçantë në një periudhë kur mjedisi i sigurisë po ndryshon me ritme të shpejta.
Ai shprehu mirënjohje për pedagogët dhe instruktorët e Akademisë së Forcave të Armatosura për kontributin në formimin e brezit të ri të oficerëve, si dhe falënderoi familjarët e kadetëve për mbështetjen e tyre gjatë gjithë rrugëtimit.
“Prandaj, edhe oficerët e rinj që diplomohen sot nuk mbajnë vetëm një gradë ushtarake, por mbi të gjitha mbajnë besimin e një kombi. Një besim që ka më shumë vlerë se kurrë, në një kohë kur mjedisi i sigurisë po ndryshon më shpejt dhe më dinamikisht se asnjëherë më parë.
Më lejoni të shpreh sot mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë pedagogët dhe instruktorët e Akademisë së Forcave të Armatosura, të cilët kanë formësuar këtë brez të ri oficerësh, ashtu siç kanë bërë edhe me brezat para tyre. Një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë familjarët e këtyre kadetëve, të cilët i kanë mbështetur ata përgjatë gjithë këtij rrugëtimi.
Sot dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Kryeministrin e Republikës, Ministrin e Mbrojtjes dhe, natyrisht, Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës për praninë e tyre. Besoj se prania e tyre sot është simbolike. Ajo dëshmon jo vetëm mbështetjen e shtetit dhe të Qeverisë së Shqipërisë, por edhe të Qeverisë së Kosovës për këtë akademi. Njëkohësisht, ajo është një shenjë për të kujtuar ditën kur u bë betimi, ditën kur u mor vendimi dhe ditën kur jeta iu kushtua shërbimit në Forcat e Armatosura të Republikës. Është një ditë e veçantë, një ditë që nuk harrohet lehtë. Për këtë arsye, të gjithë jemi shumë krenarë dhe u urojmë shumë suksese të gjithë këtyre kadetëve. Mbarësi në rrugëtimin tuaj dhe mbajeni me nder betimin që do të bëni sot. Nderoni atdheun, nderoni flamurin!”, tha ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




