Lamallari: Qëllimet ogurzeza t’i harroni! Nuk ka kthim pas drejt rrugës evropiane të Shqipërisë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar në rrjetet sociale ndaj protestës para parlamentit, duke akuzuar opozitën për përpjekje për të nxitur tensione dhe për të penguar rrugën evropiane të vendit. Në një postim të shoqëruar me pamje, ministri Lamallari shprehet se skenarët për destabilizimin e vendit janë të destinuar të dështojnë, ndërsa thekson se institucionet do të vijojnë të garantojnë rendin, sigurinë dhe funksionimin normal të jetës demokratike.

“Qëllimet ogurzeza t’i harroni!”, shkruan Lamallari në nisje të reagimit të tij, duke shtuar se “ata që dje sokëllinin për skenarë gjakatarë të thikave me helm dhe çadrave pistoletë, pasi vranë me pushkët e shtetit në ditën për diell qytetarë të pafajshëm, sot vënë kujën në Kuvend, pasi kanë fshehur dorën e gurëve që hidhen pas shpinës së vetë protestuesve”.

Ministri shprehet më tej se bëhet fjalë për të njëjtin soj politikanësh.

 “Në dëshpërim të thellë nga braktisja masive që u kanë bërë shqiptarët, gënjejnë veten se mund të mbajnë peng me molotovarë dje e kapuçzinj sot, të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, thekson Lamallari.

Në përfundim të reagimit të tij, ministri i Punëve të Brendshme përsërit mesazhin se procesi i integrimit evropian është i pakthyeshëm.

“Nuk ka kthim pas!”, e mbyll mesazhin ministri Lamallari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme