Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e Veliajt për emërimin e Ols Dados: S’ka interes të drejtpërdrejtë. Ndreca: Tregues i dështimit të drejtësisë, do e apelojmë
Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me çështjen e emërimit të Ols Dados si prokuror, duke mos e çuar shqyrtimin në themel të kësaj çështje.
Në vendimin e saj, gjykata ka arsyetuar se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje, por vetëm interes të tërthortë, ndaj kërkesa nuk mund të merret në shqyrtim.
Gjykata ka vendosur të mos pranojë për shqyrtim padinë e paraqitur nga Veliaj, e cila kishte në objekt shpalljen e pavlefshëm të emërimit të Ols Dados në vitin 2008.
Gjatë seancës së sotme Erion Veliaj, i pranishëm në sallë, pretendoi se ndaj tij është vepruar në mënyrë të padrejtë dhe tha se “dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer”. Ai kërkoi që gjykata të shqyrtojë ligjshmërinë e emërimit të Dados, duke pretenduar se ai nuk ka plotësuar kriteret për të qenë prokuror.
“Është evidente që po krijohet asimetri. Një pale po i shtohet interesi publik, ndërkohë të paditurve të tjerë po u largohet. Ka dy arsye: ose KLP nuk tregon respekt për këtë gjykatë, ose KLP ka kuptuar që Ols Dado nuk është prokuror. Nëse dikush do të vishet si polic apo prokuror dhe do të bëhet pjesë e këtij teatri, merr në qafë një qytet të tërë. Në rastin tim, dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer. Besoj se pesha e kësaj gjykate është të kthejë besimin te drejtësia”, tha Veliaj.
Po ashtu, trupa gjykuese ka rrëzuar edhe kërkesat për t’u bërë pjesë e procesit si palë nga ish-prokurori Tom Deda dhe Asociacioni për Media dhe Drejtësi.
Deda deklaroi se kishte interes pasi, sipas tij, ishte larguar padrejtësisht nga detyra dhe vendi i tij ishte zënë nga Ols Dado. Ai pretendoi se shkarkimi i tij lidhej me emërimin e Dados
Avokatët e Veliajt kërkuan pranimin e Dedës si palë duke argumentuar se pretendimet e tij lidhen me ligjshmërinë e emërimit të prokurorit, por u refuzua nga gjykata. Ndërsa mbrojtja e Dados kundërshtoi, duke thënë se Deda nuk ka interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje dhe se pretendimet e tij duhet të shqyrtohen në procese të tjera.
Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, reagoi pas vendimit të Gjykatës Administrative, ku tha se do ta ankimojë vendimin sapo të administrojë arsyetimin e plotë të gjykatës.
“Menjëherë do shkojmë në Apel, sapo të kemi vendimin e zbardhur nga gjykata. Sado vonë ne do e fitojmë këtë çështje”, u shpreh ai.
Zhvillimet gjatë seancës
Veliaj i pranishëm në gjykatë: Dikush veshi uniformën e shtetit dhe më rrëmbeu
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit këtë të premte në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet padia e tij ndaj prokurorit Ols Dado.
Në seancë, Erion Veliaj është paraqitur personalisht në gjykatë, i shoqëruar nga Policia e Burgjeve. Gjatë seancës, Veliaj tha se ndaj tij është vepruar në mënyrë të padrejtë, duke akuzuar prokurorin Dado se “veshi uniformën e shtetit dhe më rrëmbeu”.
Veliaj tha se sipas tij po krijohet një “asimetri” në trajtimin e palëve.
“Është evidente që po krijohet asimetri. Një pale po i shtohet interesi publik, ndërkohë të paditurve të tjerë po u largohet. Ka dy arsye: ose KLP nuk tregon respekt për këtë gjykatë, ose KLP ka kuptuar që Ols Dado nuk është prokuror. Nëse dikush do të vishet si polic apo prokuror dhe do të bëhet pjesë e këtij teatri, merr në qafë një qytet të tërë”, tha Veliaj.
Veliaj iu referua edhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se ato kanë konfirmuar se mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si një “plaçkë”.
“Në rastin tim, dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer. Besoj se pesha e kësaj gjykate është të kthejë besimin te drejtësia”, tha ai.
Nga ana tjetër avokati i Ols Dados ka kundërshtuar kërkesën e paraqitur nga një shoqatë për ndërhyrje kryesore në gjykim, duke argumentuar se çështja lidhet me një akt administrativ individual.
“Ne kemi një akt administrativ individual. Provat që janë dorëzuar nga avokati i shoqatës janë fletëthirrje që gjykata administrative e ka njoftuar për çështjen, e cila ndodhej në fazën paraprake. Ne kërkojmë që të rrëzohet kërkesa e shoqatës për ndërhyrje kryesore”, deklaroi avokati i Ols Dados.
Gjykata sqaroi se kërkesat e paraqitura janë pjesë e fazës përgatitore të procesit dhe se vendimmarrja do të merret në vijim.
“Këto kërkesa janë të fazës përgatitore dhe në fund gjykata do të shprehet për çdo kërkesë ose do të vendosë që çështjen ta kalojë për gjykim”, u shpreh trupa gjykuese.
Gjatë seancës, në sallën e gjyqit u paraqit edhe një grua e cila kishte kërkuar të merrte pjesë si përfaqësuese e Erion Veliajt. Nga verifikimi rezultoi se ajo nuk dispononte licencë avokatie, ndërsa asnjëra prej palëve në proces nuk e njihte si përfaqësuese.
Për këtë situatë, gjykata bëri me dije se do ta referojë çështjen pranë organeve kompetente për verifikim të mëtejshëm.
Veliaj ndodhet prej 16 muajsh në paraburgim, ndërsa kryebashkiaku tha “se Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze në mënyrën e justifikimit të kufizimit të lirisë së tij”.
Ish-prokurori Tom Deda kërkon të jetë palë në çështjen Veliaj-Dado: U shkarkova padrejtësisht që të emërohej ai
Në seancën gjyqësore për padinë e Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado, Gjykata Administrative njoftoi se në proces është paraqitur edhe një kërkesë tjetër për ndërhyrje kryesore nga ish-prokurori Tom Deda.
Gjatë seancës, gjyqtari i kërkoi Dedës të shpjegojë interesin e tij në këtë çështje dhe arsyet e kërkesës për ndërhyrje.
Deda deklaroi se lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen, pasi ka qenë prokuror në Prokurorinë e Kurbinit deri në vitin 2009. Sipas tij, në vitin 2008 në këtë prokurori ishte zhvilluar një kontroll mbi punën e tij dhe rezultati kishte qenë pozitiv.
“Kam qenë prokuror në Kurbin deri në vitin 2009. Në vitin 2008 vjen grupi i kontrollit për tre vitet e punës, përgatitet akti i kontrollit dhe rezultova mirë”, tha Deda.
Gjyqtari e pyeti se çfarë interesi kishte në lidhje me emërimin e Ols Dados. Ish-prokurori u përgjigj se largimi i tij nga detyra lidhej me emërimin e Dados në atë pozicion.
“Shkarkimi u bë që Dado të emërohej në vendin tim. Unë hapa vend pune, u hoqa në mënyrë të paligjshme. Emërimi i tij përkon me largimin tim”, deklaroi Deda.
Ish-prokurori deklaroi gjithashtu se do të paraqesë edhe një kërkesë për dëmshpërblim, duke pretenduar se largimi i tij nga detyra ka qenë i padrejtë.
“Do paraqes kërkesë për dëmshpërblim. Doja të isha më i mbushur me drejtësinë e dhënë”, u shpreh ai.
Gjatë deklaratës së tij, Deda ngriti akuza të forta ndaj personave që, sipas tij, kanë ndikuar në largimin e tij nga detyra.
“Zinxhiri i personave që kanë marrë pjesë në largimin tim janë organizatë kriminale. Ata janë në poste drejtuese”, deklaroi ish-prokurori.
Ai përmendi gjithashtu ish-kryeprokuroren Ina Rama, duke thënë se “më shkarkoi për një qëllim kriminal”.
Debat në “Administrative”, gjykata refuzon ndërhyrjen e Tom Dedës, Ndreca: Duhet të jetë palë. Avokati i Dados: Nuk ka lidhje me çështjen
Në Gjykatën Administrative ka vijuar shqyrtimi i padisë së Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado, ku palët janë përfshirë në një debat të fortë lidhur me kërkesat për ndërhyrje në proces dhe ligjshmërinë e emërimit të prokurorit.
Gjatë seancës, avokatët e Veliajt kërkuan që ish-prokurori Tom Deda të pranohet si palë në proces, duke argumentuar se çështja lidhet me ligjshmërinë e emërimit të një prokurori dhe pasojat që, sipas tyre, ka sjellë ky emërim.
Përfaqësuesi ligjor i Veliajt, Ndreca, u shpreh se gjykata po shqyrton veprimtarinë e organit të prokurorisë dhe ngriti pretendime për mënyrën e emërimit të Dados.
“Deda thotë se Dado është emëruar duke paguar para, pronë dhe një shtëpi në Pogradec. Pyetja është: a vlerësoni se emërimi i Dados është bërë mbi bazën e lidhjeve dhe interesave?”, u shpreh Ndreca.
Gjyqtari ndërhyri duke sqaruar se këto çështje lidhen me themelin e gjykimit dhe jo me fazën aktuale të legjitimimit të palëve.
“Pyetjet duhet të lidhen me pozicionin, çfarë është, çfarë ka qenë dhe pse ka interes në gjykim. Për të tjerat, është pjesë e shqyrtimit në themel”, tha gjyqtari.
Ndreca këmbënguli se pranimi i Dedës si palë është i domosdoshëm, pasi sipas tij mënyra e emërimit të një prokurori dhe pasojat e këtij emërimi prekin interesin publik.
Nga ana e tij, Erion Veliaj deklaroi se pretendimet e Tom Dedës duhet të merren në konsideratë gjatë procesit.
“Deda kërkon që Dado është paguar ose përdorur për rrëmbimin e kryebashkiakut. Ky deklarim i tij duhet marrë si provë”, tha Veliaj.
Ndërkohë, mbrojtja e Ols Dados kundërshtoi përfshirjen e ish-prokurorit në proces, duke argumentuar se dokumentet e paraqitura prej tij nuk lidhen me çështjen.
Avokati i Dados deklaroi se akti i kontrollit ndaj Dedës është një vit para shkarkimit të tij dhe nuk ka lidhje me emërimin e Dados.
“Dado është emëruar në vitin 2008, ndërsa Deda është shkarkuar në vitin 2009. Akti i Dedës është marrë në shqyrtim. Kërkojmë që Deda të mos merret si palë në këtë çështje”, tha avokati.
Në fjalën e tij, Veliaj përsëriti pretendimin se Ols Dado nuk ka përmbushur kriteret ligjore për të qenë prokuror.
“Nëse Dado do të kishte sjellë dëftesat e Magjistraturës, do ta kishim mbyllur këtë histori. Ai nuk ka mbaruar Magjistraturën dhe nuk duhet të jetë prokuror”, tha Veliaj.
Ai shtoi se sipas tij, çështja lidhet me besimin te institucionet e drejtësisë.
“Ky prokuror ka veshur kostumin e prokurorit dhe sillet si bandit që rrëmben qytetarët. A mund ta themi këtë edhe në mënyrë ligjore? Nëse ka prova për emërime me para apo prona, do bëjmë verifikimet tona”, u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Dados argumentoi se pretendimet e Veliajt duhet të ngrihen në procese të veçanta dhe jo brenda kësaj çështjeje.
“Nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë pasojë. Nëse Veliaj ka pretendime për prokurorin, t’i paraqesë në GJKKO. Nëse do të legjitimohej kjo kërkesë, do të krijohej precedent dhe do të çonte në cenimin e institucioneve”, deklaroi avokati i Dados.
Pas përfundimit të diskutimeve, gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit, ku vendosi që Tom Deda të mos ishte palë në proces.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



