Gdhendja e gurit, identiteti i Gjirokastrës/Apostol Cango një nga mjeshtrit që vijon traditën e trashëguar brez pas brezi

Sociale | 3 muaj më parë

Në fshatin Hundëkuq të Bashkisë Gjirokastër, Apostol Cango vazhdon të mbajë gjallë një prej zanateve më të vjetra të zonës, atë të gurë gdhendjes. Ai  e nisi rrugëtimin e tij si gurgdhendës që në moshën 16-vjeçare, një zanat të cilin e mësoi nga babai i tij. Pas shumë vitesh pune në emigrim,  zgjodhi të rikthehet në vendlindje dhe t’i përkushtohet sërish këtij profesioni.

“Këtë zanat e mësova nga babai. Ishte babai murator edhe më mësoi mua. Kam qenë në Greqi nja 18 vjet në Athinë me babain nëpër kisha pastaj erdha në vendin tim dhe punoj”, u shpreh Cango.

Për Apostol Cangon, puna me gurin kërkon përkushtim, durim dhe shumë përvojë. Ai thotë se ky zanat nuk është i lehtë për t’u ushtruar, ndërsa një nga sfidat më të mëdha sot mbetet mungesa e fuqisë punëtore dhe interesit nga të rinjtë.

“S’kemi fuqi punëtore. Kanë ikur të gjithë jashtë”, tha ai.

Përmes mjeshtërve si Apostol Cango, ky zanat vazhdon të mbijetojë, duke përcjellë një traditë të vjetër dhe vlera që kërkojnë të ruhen edhe nga brezat e rinj.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme