Pakësohen prurjet e lumenjve, niveli i liqenit të Fierzës shkon në 287 metër
Temperaturat e larta të vazhdueshme kanë çuar në një ulje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë që furnizojnë me ujë rezervuarin më të madh të vendit. Aktualisht, prurjet vlerësohen rreth 100 metër kub ujë në sekondë, ndërsa niveli i liqenit ka rënë në 287.1 metra nga 296 metra që është kuota maksimale.
Kushtet e krijuara kanë ndikuar në reduktimin e ndjeshëm të furnizimit me ujë të liqeneve artificiale dhe hidrocentraleve kryesore të vendit. Gjendja është më e theksuar në liqenin e Fierzës, i cili përbën burimin më të madh të ujit dhe një hallkë kyçe në sistemin energjetik kombëtar. Ky liqen po shënon rënie të vazhdueshme të nivelit, jo vetëm për shkak të mungesës së reshjeve dhe prurjeve, por edhe nga prodhimi i energjisë që vijon me dy turbina në hidrocentralin e tij.
Sipas parashikimeve të meteorologëve, situata rrezikon të rëndohet, pasi gjatë javëve të ardhshme nuk priten reshje të konsiderueshme, ndërkohë që temperaturat e larta do të vijojnë gjatë korrikut e gushtit. Kjo thatësirë dhe vala e nxehtësisë po e vë në vështirësi sistemin energjetik, duke detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) të rrisë blerjen e energjisë nga tregjet ndërkombëtare për të përmbushur kërkesën vendase.
Përballë kësaj situate, qeveria dhe institucionet përkatëse i kanë bërë thirrje qytetarëve që të përdorin energjinë me kujdes dhe të shmangin shpërdorimin. Konsumi i pakontrolluar, në kushtet kur prodhimi vendas është i kufizuar, mund të krijojë pasoja të rënda financiare për buxhetin dhe të rrezikojë furnizimin e qëndrueshëm.
Në këtë klimë sfiduese, kursimi i energjisë dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve është më i domosdoshëm se kurrë. Autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e të gjithë konsumatorëve për ta kaluar këtë periudhë kritike me sa më pak pasoja për ekonominë dhe sistemin energjetik të vendit.
Gazetare:Irda Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




