Franca, teste droge në administratë, punonjës ministrish humbin vendin e punës pas rezultateve pozitive

Franca ka nisur zbatimin e kontrolleve të rrepta kundër përdorimit të drogës në administratën shtetërore, ndërsa janë regjistruar edhe largimet e para nga puna.
Sipas kryeministrit Sébastien Lecornu, disa punonjës të ministrive janë shkarkuar pasi testet e papritura të drogës rezultuan pozitive.
Ai tha se vendimi është marrë për arsye sigurie, pasi shumë prej zyrtarëve kanë akses në informacione të klasifikuara dhe të ndjeshme.
Testimet e detyrueshme me analiza të pështymës u urdhëruan në muajin qershor dhe përfshijnë ministrat, zyrtarët e lartë dhe punonjësit që i nënshtrohen verifikimeve të sigurisë. Sipas qeverisë franceze, çdo rezultat pozitiv do të shoqërohet me shqyrtimin e masave disiplinore, deri në largimin nga detyra. Lecornu theksoi se trafiku dhe përdorimi i drogës mbeten një nga sfidat më të mëdha të Francës, duke shtuar se në vend ka rreth një milion përdorues droge.
Ai deklaroi se lufta kundër drogës nuk mund të jetë e besueshme nëse vetë zyrtarët publikë nuk respektojnë të njëjtat rregulla. Sipas tij, nuk mund të ketë standarde të dyfishta mes qytetarëve dhe atyre që drejtojnë institucionet.
Kryeministri bëri të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë të rastësishme dhe pa paralajmërim edhe në të ardhmen. Ndërkohë, testimet e zhvilluara në selinë e qeverisë franceze rezultuan negative për kryeministrin dhe stafin e tij të afërt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




