Protesta para Kuvendit shoqërohet me incidente, 6 protestues u shoqëruan nga policia dhe u liruan pas disa orësh

Aktualitet | 3 muaj më parë

Qytetarët zhvilluan këtë të hënë protestën e radhës përpara Kuvendit, në të njëjtën ditë me seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar. Tubimi nisi në mëngjes nën masa të forta sigurie, me perimetër të përforcuar nga forcat “Shqiponja”, FNSH dhe dhjetëra efektivë policie, të cilët bllokuan hyrjet kryesore drejt Parlamentit.

Për shkak të kordonit policor, protestuesit ndryshuan itinerarin dhe marshuan drejt Ministrisë së Brendshme dhe Rrugës së Elbasanit, duke vijuar me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit. Gjatë marshimit pati përplasje me policinë, e cila krijoi kordone sigurie dhe përdori spraj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Në reagim, disa protestues hodhën vezë në drejtim të efektivëve.

Situata u tensionua edhe më tej kur policia shoqëroi gjashtë protestues, mes tyre edhe aktivistin Arben Kola, i cili u dërgua në komisariat. Pas shoqërimeve, protestuesit marshuan drejt Komisariatit Nr. 1, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve. Më vonë, të shoqëruarit u lanë të lirë, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë çdo ditë në orën 19:00 para Kryeministrisë.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Orion Peçit dhe Artemisa Islamajt gjatë protestës së 23 korrikut, duke u caktuar masën e sigurimit “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Të dy u liruan menjëherë, me detyrimin për të dorëzuar pasaportat dhe për të mos u larguar nga Shqipëria pa autorizimin e gjykatës.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme