Autizmi dhe ndjeshmëria ndaj stimujve shqisorë, psikologia: Mjedisi i përshtatur i ndihmon të ndihen të sigurt
Fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit mund ta përjetojnë ndryshe mjedisin përreth, veçanërisht aktivitetet me shumë zhurmë, drita dhe njerëz. Psikologia klinike shpjegon pse aktivitetet festive mund të jenë sfiduese për fëmijët autikë.
“Kanë ndjeshmëri shumë të lartë sensoriale, domethënë që i ndiejnë zhurmat shumë më tepër. Prandaj, në momentin që ato vendosen përballë kushteve me shumë zhurmë, mund të stresohen dhe mund t’u krijohet brenda tyre një ndjesi shumë e fortë ankthi, që ata pastaj e pasqyrojnë përmes veprimeve të caktuara. Zakonisht fillon me një mbyllje të veshëve, që është shenja e parë, dhe me një lëvizje motorike që mund të jetë pak më e fortë sesa zakonisht”, tha Megi Vjerdha Shllaku, pedagoge dhe psikologe klinike.
Sipas saj, rëndësi ka mënyra se si organizohet përfshirja e fëmijëve në aktivitete të tilla.
“Mendoj se edhe aktivitetet që ne i propozojmë duhet të jenë të përshtatura edhe për ta, sepse shpeshherë ne i shohim aktivitetet shumë të bukura për fëmijët, por që krijojnë një sens ankthi te personat në spektër, sepse thjesht shqisat e tyre e jetojnë zhurmën më tepër sesa personat neurotipikë. Por edhe të krijohen kushte që, në festat publike, të ketë hapësira pak më të qeta, në mënyrë që ata të mund ta jetojnë eksperiencën e tyre pa qenë të mbistimuluar prej zhurmave”, apelo ajo.
Specialistët këshillojnë që aktivitetet të përshtaten me nevojat e çdo fëmije, duke krijuar një mjedis sa më të qetë, të sigurt dhe gjithëpërfshirës.
Gazetare: B. Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




