Bashkëpunimi mes shërbimeve zjarrfikëse- Kukësi dhe Prizreni, ndërhyrje të përbashkëta në raste emergjente
Bashkëpunimi mes shërbimeve zjarrfikëse, Kukësi dhe Prizreni, ndërhyrje të përbashkëta në raste emergjente
Është periudha me risk të lartë për shfaqjen e zjarreve në pyje. Për vetë pozitën gjeografike dhe masivet pyjore që shtrihen në rajonet e Kukësit e Prizrenit, bashkëpunimi mes shërbimeve zjarrfikëse është në një nivel të lartë. Komandanti i Shërbimit Zjarrfikës të Prizrenit, Flamur Hoti, thotë se me Kukësin ka plane konkrete për ndërhyrje të përbashkëta.
“Kemi pasur edhe vitet e kaluara tre incidente zjarri në brezin kufitar, ku kemi bashkëpunuar shumë mirë me ekipet e zjarrfikësve të Kukësit. Kemi disa plane për sivjet për parandalim”, tha ai.
Vija kufitare, siç njihet ndryshe brezi i butë i Klonit, për komandantin Hoti mund të shfrytëzohet më së miri për të kufizuar përhapjen e zjarreve në të dy anët e kufirit.
Bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve të Emergjencave Civile dhe zjarrfikësve është rregulluar edhe me marrëveshje ndërshtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës.
Nga ana tjetër, në këtë periudhë me temperatura të larta, shërbimi zjarrfikës i Prizrenit ka intensifikuar monitorimet në terren për të parandaluar shfaqjen e zjarreve në pyje, duke vënë në dispozicion edhe kapacitete teknologjike me dron.
Ky shërbim ka një shkallë të lartë gatishmërie, e shoqëruar edhe me kapacitete mjetesh e teknike për ndërhyrje.
Ky shërbim disponon mjete të kalueshmërisë së lartë dhe me një teknologji efikase.
Kujtojmë se shërbimet zjarrfikëse të Prizrenit janë angazhuar për ndërhyrje jo vetëm në shfaqjen e zjarreve në pyje dhe në qytetin e Kukësit, por edhe në misionet e kërkim-shpëtimit gjatë tërmetit apo edhe në zonat e përmbytura në Lezhë e Shkodër.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




