Zjarri në magazinën në Shkozet, arrestohet 38-vjeçari, Policia: Tentoi të digjte disa barishte, por flakët dolën jashtë kontrollit

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një 38-vjeçar është arrestuar si autori i dyshuar i zjarrit  masiv që përfshiu një magazinë në Shkozet ditën e djeshme (30 korrik), duke shkaktuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike në qytetin e Durrësit.

Sipas policisë, 38-vjeçari me inicialet A. N., ndezi zjarr për djegien e disa barishteve në afërsi të magazinës, por flakët dolën jashtë kontrollit. Si pasojë e zjarrit, në magazinë u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa gjatë punës për fikjen e flakëve u asfiksuan edhe 2 zjarrfikës. Ata u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

“Ndezi zjarr për djegien e barishteve, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe përfshinë një magazinë, identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Strukturat për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës vunë në pranga shtetasin A. N., 38 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në lagjen nr. 14, Durrës, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve pranë magazinës së një subjekti privat. Si pasojë e daljes së flakëve jashtë kontrollit, zjarri ka përfshirë magazinën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.

Për shkak të afërsisë së magazinës me rrjetin 110 kV në Shkozet, qyteti i Durrësit u përball me ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë, pasi u bë stakimi i linjave që furnizojnë nënstacionin e zonës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme