Tragjedi dhe përplasje politike në BE, shkon në 84 numri i viktimave në Ceuta, Spanja dhe Italia përplasen për Shengenin

Kriza e madhe e migracionit në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën Veriore ka nxitur tensione politike midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa bilanci njerëzor vazhdon të rëndohet. Të paktën 84 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të mbërritur me not në territorin spanjoll, ndërkohë që në qytet raportohet për tensione sociale dhe barrikada të ngritura nga banorët vendas.
Përplasja diplomatike, letra e 22 vendave dhe reagimi i Madridit
Mbi krizën e krijuar, Italia dhe Danimarka hartuan një letër zyrtare e cila u nënshkrua nga 22 vendet anëtare të BE-së (përfshirë Gjermaninë, Francën, Holandën e të tjerë), drejtuar institucioneve të BE-së për një takimi urgjent të ministrave të Brendshëm.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, mbrojti qëndrimin e Romës për forcimin e kufijve dhe rivendosjen e mundshme të kontrolleve kufitare:
“Imazhet nga Ceuta kanë demonstruar edhe një herë se sa urgjente është një përgjigje evropiane ndaj emigracionit të paligjshëm. Linja që Italia e ka mbështetur prej kohësh tani ndahet nga një numër në rritje i kombeve evropiane.”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i është përgjigjur ashpër nismave për pezullimin e Shengenit apo izolimin e Spanjës, duke e cilësuar qëndrimin e disave si të diktuar nga interesat politike:
“Pezullimi i Shengenit, i diktuar nga injoranca ose interesat politike, është në kundërshtim me të drejtat evropiane dhe të njeriut dhe me interesat afatgjata të Evropës.”, tha ai.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi mbështetjen për Spanjën dhe dha dritën jeshile për thirrjen e një videokonference të jashtëzakonshme të ministrave të BE-së, duke nënvizuar se “lufta kundër emigracionit të paligjshëm kërkon solidaritet dhe një përgjigje të bashkuar evropiane”.
Dramë njerëzore dhe tensione në terren
Në terren, autoritetet përballen me një situatë kritike emergjence. Trupat e 67 emigrantëve u nxorën nga ujërat spanjolle, ndërsa 17 të tjerë u gjetën në bregdetin maroken, duke e çuar bilancin e viktimave të kësaj vale në 84.
Spitali i vjetër ushtarak në Ceuta ngriti një morg të dytë për shkak të mungesës së hapësirës, ndërsa po strehon edhe mbi 500 të mitur.
Ushtria dhe Garda Civile spanjolle kanë nisur instalimin e një barriere pneumatike lundruese prej 500 metrash në skelën Tarajal për të bllokuar hyrjet me not.
Banorët në lagje të ndryshme të Ceutës kanë ngritur barrikada për të kontrolluar hyrjet, ndërsa në qendrën e emigrantëve CETI u shënua një incident ku një shtetas maroken u plagos me thikë gjatë një përleshjeje.
Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, konfirmoi se vala prej rreth 50,000 personash që tentuan hyrjen në enklavë përgjatë 48 orëve të fundit është frenuar dhe shumica dërrmuese e tyre janë riatdhesuar drejt Marokut, por nënvizoi se situata mbetet delikate deri në rikthimin e plotë të normalitetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




