Pesha e lahutës, pesha e historisë, Isa Elezi rrëfen udhëtimin 75-vjeçar me instrumentin
Isa Elezi, lahutari nga Rugova e Pejës, thotë se lahuta gjithmonë i ka lidhur trimat dhe u ka dhënë zemër në mejdan.
“Lahuta e ka atë stilin e vet. Atëherë kanë qenë mejdanet, s’ka pasur aeroplanë, por mejdanet, fitimet në luftëra, betejat.”
Sipas tij, vetë lahuta është një akademi për vlerat që mbart prej shekujsh.
“Një lahutar më ka mundur me e çudit akademinë.”
Isa thotë se lautar nuk mund të bëhet kushdo. Ai duhet ta ketë trashëgimi dhe në gjak lahutën. Vetë e ka marrë në dorë që kur ishte në moshën pesëvjeçare dhe që nga ajo kohë është bashkëjetues me lahutën.
“Lahutën për herë të parë kam mësuar me i ra kur i kam pasur pesë-gjashtë vjet. Ato merak e në klasë të dytë, tetë-nëntë vjet, jam hy në atë rend me ditë me i këndu lahutës.”
Ai tregon se njeh dhe këndon më shumë se 30 mijë vargje me lahutë.
“Më shumë se 30 mijë vargje i këndoj me lahutë. Krejt Evropa nuk ka vargje me lahutë sa kanë shqiptarët. Unë mund t’i këndoj për krye 30 mijë vargjeve. Në këto vjet të miat, sot po t’ia nis me pas kohë, i kaloj 30 mijë.”
Për Isën, lahuta është vetë shpirti, aty ku gjen veten dhe qetësinë.
“Unë kam pasur edhe raste të jetës me dhembje e me gjithçka. Kur nuk kam mujtur hiç me u qetësu, me më marrë gjumi, e kam çuar një trak me lahutë, jo vetëm timin, por edhe të lahutarëve të tjerë, e më ka marrë gjumi.”
Isa ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike dhe në aktivitete të shumta ndërkombëtare. Lahuta tashmë është pjesë e trashëgimisë shpirtërore botërore dhe mbrohet nga UNESCO.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




