U bllokuan në rrjedhën e Drinit të Zi, shpëtohet familja me 8 anëtarë

Shpëtohet familja me tetë anëtarë, të cilët prej disa orësh kishin mbetur të bllokuar në lumin Drini i Zi në Bulqizë. Operacioni i shpëtimit u zhvillua nga Policia, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe shërbimin zjarrfikës, pasi niveli i ujit u rrit papritur.
Sipas Policisë, shërbimet e Komisariatit të Bulqizës u vunë menjëherë në lëvizje pas telefonatës së një qytetari, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe shtatë familjarë të tij kishin mbetur të izoluar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”, si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit.
Në bashkëpunim me shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin zjarrfikës, u organizua një operacion shpëtimi, gjatë të cilit tetë qytetarët u nxorën nga rrjedha e lumit me gomone. Fatmirësisht, të tetë personat janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
“Policia iu vjen në ndihmë 8 qytetarëve që kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga një shtetas, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe 7 familjarë të tij kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”, si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje. Në bashkëpunim me shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin e shërbimit zjarrfikës, u organizua operacioni i shpëtimit, gjatë të cilit 8 qytetarët u nxorën nga rrjedha e ujit me gomone. Të tetë qytetarët janë jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Policia e Dibrës mbetet maksimalisht e angazhuar në shërbim të qytetarëve dhe apelon për tregimin e kujdesit maksimal gjatë qëndrimit pranë lumenjve dhe zonave ujore, si dhe për njoftimin në kohë të Policisë, në çdo rast nevoje, në numrin pa pagesë 112, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




