Liqeni i Shkodrës, habitati i mbi 40 lloje pilivesash. Ekspertë nga Ballkani po monitorojnë këtë specie si tregues i ekosistemit

Aktualitet | 3 muaj më parë

Studimi për mbrojtjen e pilivesave është në fokus të takimit ballkanik BUM 2026, që ka bërë bashkë në Shkodër studiues dhe ekspertë të biodiversitetit. Në fokus janë Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna, ku po monitorohen pilivesat, habitatet ku ato jetojnë dhe kushtet që favorizojnë shumimin e tyre. Për studiuesit, prania dhe larmia e këtyre insekteve përbëjnë një tregues të rëndësishëm për gjendjen e ekosistemeve ujore.

“Për herë të parë ne organizojmë eventin Balkanodonata Meeting në Shqipëri dhe pikërisht këtu, në Shkodër, për të monitoruar një ndër bioindikatorët më të rëndësishëm të Liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, siç janë pilivesat, dhe është një ndër speciet më pak të studiuara”, tha  Aurora Pirovic, biologe, organizatore e takimit.

Gjatë dy ditëve të para të monitorimit, më shumë se 40 lloje pilivesash janë identifikuar në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna. Një diversitet që, sipas ekspertëve, lidhet edhe me vlerat natyrore të këtij territori.

“Mbi 40 lloje i kemi të identifikuara prej pilivesave vetëm. Ndoshta mund të jenë edhe më shumë, për shkak se jemi ende në hulumtim. Edhe disa ditë nuk e kemi ende një listë definitive, por tash për tash kemi një numër të konsiderueshëm që tregon për një gjendje të mirë.” Ferdije Zhushi Et’hemi  biologe, pedagoge Universiteti i Prishtinës.

“Ky është një liqen shumë i madh, një liqen fantastik, me shumë habitate dhe lloje të ndryshme vegjetacioni, dhe që strehon një nga popullatat më të mëdha të pilivesave në Evropë, përfshirë Oxygastra curtisii, një nga speciet e rëndësishme dhe të mbrojtura në kontinent.” Dejan Kulier Entomolog, Muzeu i Shkencave të Natyrës, Sarajevë.

Studiuesit theksojnë se mbrojtja e pilivesave nuk lidhet vetëm me ruajtjen e një grupi insektesh, por me mbrojtjen e të gjithë zinxhirit natyror ku ato bëjnë pjesë.

Gazetar: A.Hoti   

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme