Treni me 150 pasagjerë del nga shinat në Britani, 11 të plagosur

Botë | 3 muaj më parë

Një tren me rreth 150 pasagjerë doli nga shinat pranë Sussexit Lindor, në Britani, duke lënë të plagosur 11 persona. Sipas autoriteteve shëndetësore, dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndërsa personat me lëndime më të lehta morën ndihmën e parë në vendngjarje.

Në tren ndodheshin rreth 150 persona në momentin e aksidentit. Pavarësisht përmasave të incidentit, autoritetet konfirmuan se nuk ka viktima.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë ekipet e emergjencës duke punuar pranë trenit, ndërsa disa prej vagonëve kanë dalë nga shinat dhe janë përmbysur anash.

Një pasagjer 56-vjeçar, i cili po udhëtonte vetëm në tren nga Londra, e përshkroi momentin e aksidentit si një përvojë “tmerruese”.

“Gjithçka u kthye përmbys”, tregoi ai, duke përshkruar momentin kur vagoni u përmbys.

Sipas dëshmisë së tij, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Pasagjeri tha se fillimisht u dëgjua një zhurmë e fortë dhe më pas vagoni u përmbys në anë.

Ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe nisën menjëherë operacionin e shpëtimit, ndërsa pasagjerët u ndihmuan të dilnin nga treni.

Shkaqet që çuan në daljen e trenit nga shinat nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme