Zjarret në Lurë, Dajt, Krujë dhe Bulqizë, Nufi: Forcat e Armatosura në terren, nuk ka rrezik për zonat e banuara

Aktualitet | 2 muaj më parë

Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për përballimin dhe menaxhimin e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bën me dije se situata në zonat e banuara është nën kontroll, ndërsa operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve vijojnë pa ndërprerje.

Në Lurë, janë angazhuar 65 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një mjet zjarrfikës. Sipas ministrit, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për jetën e banorëve apo për banesat. Vatra e zjarrit në Lurë vijon të jetë aktive prej 4 ditësh, ndërsa zjarret kanë djegur mbi 300 hektarë pyje me bredh dhe kullota. Zjarri ka përfshirë kurorën e Lurës nga Borje Lura, majën e Runjës, Livadhet e Stafës dhe po del në Lanë Lurë.

Sipas Ministrit, 2 avionë “Air Tractor” janë angazhuar nga ajri për të ndihmuar operacionet në vatrat aktive të zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në zonën Qafa e Helmës, Fushë-Bulqizë–Selishtë. Nufi thekson se operacionet nga toka dhe ajri vijojnë të koordinuara, me synim kufizimin e përhapjes së zjarrit dhe vendosjen e vatrave nën kontroll.

Situata po monitorohet nga afër edhe në Dajt, ku janë vënë në dispozicion dy helikopterë të Forcës Ajrore për ndërhyrjen nga ajri. Deri në këto momente, nuk raportohet rrezik për banesat apo bizneset në zonë.

Në Abaze të Krujës, operacioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet me pjesëmarrjen e 32 efektivëve të Forcave të Armatosura, një zjarrfikëse, një ambulancë dhe një helikopter. Edhe në këtë zonë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Bulqizë, në terren ndodhen 22 efektivë dhe tre mjete të Forcave të Armatosura. Situata pranë qendrave të banuara paraqitet nën kontroll të plotë, ndërsa nuk ka rrezik për jetën e njerëzve apo banesat e tyre.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, thekson se situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa forcat operacionale vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

“Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm ndërsa forcat operacionale vijojnë punën pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e vatrave, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave, pronave dhe mjedisit”, thuhet në deklaratën e ministrit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme