Aksident në aksin Fier–Lushnje, dy persona dërgohen me urgjencë në spital

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin nacional Fier–Lushnje, konkretisht në vendin e quajtur Ura e Mbrostarit. Përplasja midis dy mjeteve ka shkaktuar momente paniku te kalimtarët dhe bllokim të përkohshëm të lëvizjes së automjeteve në këtë nyje rrugore.

Në ngjarje janë përfshirë një automjet tip “Fiat”, i cili drejtohej nga shtetasi me iniciale L. Xh., si dhe një automjet i markës “Volkswagen”. Si pasojë e goditjes së fortë midis dy mjeteve, kanë mbetur të plagosur drejtuesi i njërit prej automjeteve dhe pasagjeri që e shoqëronte atë.

I plagosuri, shtetasi E. T., së bashku me djalin e tij të mitur, janë transportuar me shpejtësi me ndihmën e ekipeve mjekësore drejt Spitalit Rajonal të Fierit për të marrë trajtimin e nevojshëm.

“Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitalit dhe, sipas informacioneve të para, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën,” informon gazetarja e RTSH- 24 nga vendngjarja, Laureta Roshi.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur pa vonesë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e plota dhe shkaqet teknike të përplasjes.

“Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale në terren për zbardhjen e shkakut të aksidentit, ndërsa po punohet paralelisht për menaxhimin e trafikut dhe normalizimin e plotë të qarkullimit në këtë aks,” informon gazetarja.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme