Zjarri në hotelin në Lungomare, turisti nga Polonia: Dëgjuam të bërtitura dhe pamë tymin

Në hotelin që u përfshi nga flakët në zonën e Lungomares në Vlorë ndodheshin edhe turistë të huaj, të cilët u përballën me flakët dhe tymin e dendur në orët e para të mëngjesit. Situata u përkeqësua me shpejtësi, duke bërë që pushuesit të kërkonin me çdo mënyrë një rrugëdalje nga ndërtesa.
Një turist nga Polonia, i cili foli për mediat pas ngjarjes, tregoi momentet e frikshme që përjetoi brenda hotelit.
“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. Thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, tha ai.
Sipas dyshimeve paraprake, zjarri ka nisur në katin e parë të objektit, ku ndodhej një lokal, dhe më pas është përhapur me shpejtësi në katin e dytë, ku ndodheshin dhomat e hotelit.
Tymi i dendur pushtoi korridoret, ndërsa flakët u përhapën në pjesë të godinës. Pushuesit u zgjuan të alarmuar nga gjumi dhe nisën të largohen me nxitim nga hoteli.
6 persona të dëmtuar nga zjarri morën ndihmë në Spitalin e Vlorës. Pesë prej tyre u nisën më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



