Bypass-i i Shkodrës jashtë vëmendjes, dëmtimi i parmakëve dhe ndriçimi e bëjnë të pasigurt lëvizjen
I inauguruar afro 5 vite më parë, Bypass-i i Shkodrës, një investim prej 1.5 miliardë lekësh, vlerësohet si një zgjidhje efikase për lehtësimin e trafikut të rënduar brenda qytetit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Por ky segment duket se ka mbetur jashtë vëmendjes sa i takon mirëmbajtjes.
Në disa zona të Bypass-it evidentohen dëmtime të konsiderueshme, kryesisht të barrierave mbrojtëse dhe ndriçimit në dy anët e kësaj rruge.
Parmakë të përkulur ose të shkatërruar dëshmojnë për lëvizje të mjeteve me shpejtësi të lartë, jashtë normave të lejuara, duke bërë që kjo rrugë të kthehet në një burim potencial aksidentesh, të cilat nuk kanë munguar.
Bypass-i i Shkodrës, me gjatësi afro 5 km, i pajisur me korsi të veçanta për këmbësorë dhe biçikleta, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga banorët, sidomos në orët e pasdites, duke e bërë edhe më urgjente ndërhyrjen për të garantuar sigurinë e përdoruesve të tij.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




