230 njerëz humbasin telefonat e tyre çdo ditë në Britani për shkak të vjedhjeve.

Botë | 3 muaj më parë

Vjedhja e telefonave është kthyer në një fenomen shqetësues në Britani, ku përdoruesit shpesh kanë frikë t’i mbajnë telefonat në dorë, t’i vendosin në vesh ose t’i lënë në vende të dukshme në çanta e xhepa, pasi mund të bëhen shënjestra të hajdutëve të specializuar. 

Në shumicën e rasteve, hajdutët i rrëmbejnë telefonat hapur nga dora e përdoruesit, shpesh duke përdorur biçikleta për t’u afruar me shpejtësi dhe për t’u larguar menjëherë pas grabitjes.

Viktimat janë shpesh turistë që bëjnë fotografi në vende publike, por edhe qytetarë të zakonshëm që përdorin telefonin në rrugë. 

Sipas të dhënave të publikuara nga gazeta britanike “Daily Star” ,gjatë vitit 2025 në Angli dhe Uells janë regjistruar rreth 83,000 raste vjedhjesh ose grabitjesh telefonash celularë, që përkthehet në rreth 230 raste në ditë.

Londra kryeson me diferencë të madhe, duke regjistruar mbi 72,000 raste, që përbëjnë rreth 87% të totalit. 

Në krahasim me vitin 2024, kur u regjistruan rreth 94,000 raste, ka një ulje prej 12%, por shifrat mbeten më të larta se në vitin 2023 (80,000 raste).

Gazeta thekson se numri real mund të jetë edhe më i madh, pasi disa forca policore nuk kanë raportuar të dhënat e tyre. 

Westminster është zona më e prekur në Londër, me gati 20,700 raste të raportuara vetëm vitin e kaluar. Megjithatë, kryeqyteti ka parë një ulje të ndjeshme, nga 81,000 raste në vitin 2024 në 72,000 në vitin 2025. 

Pavarësisht kësaj, ndjekja penale e autorëve mbetet shumë e ulët: vetëm rreth 1% e rasteve të raportuara përfundojnë me padi formale. 

Një zëdhënës i Kryetarit të Bashkisë së Londrës tha se kjo ulje është rezultat i përpjekjeve të policisë dhe institucioneve të tjera, përfshirë përdorimin e dronëve dhe biçikletave elektrike për patrullim. 

Policia Metropolitane ka nisur edhe një program në bashkëpunim me kompaninë Apple, për t’i bërë telefonat e vjedhur të papërdorshëm, duke kufizuar rishitjen ose riaktivizimin e tyre.

Komisioneri Sir Mark Rowley paralajmëroi kompanitë e teknologjisë se nëse nuk marrin masa urgjente, policia do t’i kërkojë qeverisë ndërhyrje me legjislacion të ri. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme