Trajneri i Pafos ka ankesa për fushën e “Elbasan Arenës”, Sa Pinto: Na pret një betejë, synojmë një rezultat pozitiv

Trajneri i Pafos, Ricardo Sa Pinto ka folur për mediat në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Dinamos, e vlefshme për fazën e Play Off-it të Conference League. Tekniku portugez i qipriotëve ka ankesa për fushën e stadiumit “Elbasan Arena”, por thekson se ekipin e tij e pret një betejë nesër dhe se synimi i Pafos është që të largohet me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë.
“Jemi gati për ndeshjen e nesërme kundër Dinamos. Shqetësimi i vetëm në këto momente është fusha, duhet të ishte në kushte më të mira. Nuk besoj se kjo fushë është në nivelin e ndeshjes së rëndësishme që do të luajmë nesër. Dinamo është një kundërshtar i fortë. Sigurisht që kjo fushë është mirë për ta, sepse ata pëlqejnë të vrapojnë, të luftojnë dhe mendoj që nesër duhet të jemi të përgatitur për këtë lloj ndeshjeje.
Do të jetë luftë për ne. Duam që të marrim një rezultat pozitiv në transfertë. Do të synojmë që të kontrollojmë topin dhe lojën. Duhet të tregohemi të zgjuar. Ndonjëherë duhet të dish ti luash këto ndeshje. Objektivi ynë kryesor për nesër është që të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Pafos, Ricardo Sa Pinto.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




