Tenis/ Carlos Alcaraz njofton rikthimin në fushë, spanjolli regjistrohet në Us Open

Me një mesazh në rrjetet sociale, tenisti ka zyrtarizuar praninë e tij në turneun amerikan.
Më në fund, Carlos Alcaraz kthehet në fushë. Praninë në Us Open e ka zyrtarizuar vetë kampioni spanjoll me një mesazh në profilet e tij në rrjetet sociale: “Po kthehehm (Here we go, estoy de vuelta).
Spanjolli kthehet kështu pas ndalesës së detyruar për shkak të problemit në kyçin e dorës që në muajin prill. Alcaraz humbi më pas dy turnetë e rëndësishëm, Roland Garros dhe Wimbledon. Problemi për tenisitin e njohur u shkaktua nga mbingarkesa dhe lëvizjet e vazhdueshme të rotacionit me shpejtësi të lartë.
Për rikuperimin ishte i nevojshëm një trajtim i gjatë dhe rigoroz, pushimi total nga ana atletike dhe një fizioterapi e kujdesshme për disa muaj.
Javët e fundit Alcaraz është stërvitur në fushat e Murcia-s, madje bëri edhe një set simulues kundër Rune. Sinjalet pozitive e kanë bindur spanjollin të marrë pjesë në turneun e fundit Slam të sezonit, që nis më 30 gusht. Ai duhet të luftojë për të mbrojtur titullin e fituar vitin e kaluar, kur mposhti Sinner në finale. Italiani, numri 1 në botë, ka një dëmtim në gjurin e djathtë dhe nuk ka vendosur ende, nëse do të marrë pjesë në US Open, apo jo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




