Zjarre në 2 ndërtesa banimi në Zvicër, zhduken 5 persona, plagosen 19 të tjerë

Botë | 2 muaj më parë

Dy zjarre të rënda të regjistruara gjatë natës në ndërtesa banimi në Zvicër ka lënë një bilanc prej pesë personash të zhdukur dhe 19 të plagosur. Rreth 100 zjarrfikës janë angazhuar në operacionet e emergjencës. Ngjarja më e rëndë u regjistrua në Thusis, në kantonin Graubünden, ku një zjarr i madh shpërtheu pak pas mesnatës dhe përfshiu një ndërtesë ku ndodheshin një restorant dhe disa apartamente.  Sipas policisë, ndërtesa u shkatërrua plotësisht nga flakët, ndërsa pesë persona rezultojnë ende të zhdukur. Shkallët e ndërtesës janë shembur, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e ekipeve nga brenda. Për këtë arsye, ekipet e emergjencës përdorën një vinç për të hapur çatinë dhe për të vijuar kërkimet.

14 persona arritën të largoheshin nga ndërtesa, ndërsa tetë prej tyre mbetën të plagosur, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Të plagosurit janë transportuar në spitale në kantonin Graubünden dhe në Cyrih.

Ndërsa zjarri i dytë u regjistrua në qytetin verior të Schaffhausen, pranë kufirit me Gjermaninë. Flakët shpërthyen në kuzhinën e një apartamenti dhe për pasojë 11 persona mbetën të plagosur, nëntë prej të cilëve u dërguan në spital për trajtim mjekësor. Mes të plagosurve ishte edhe një efektiv policie. Zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll situatën dhe parandaluan përhapjen e flakëve në apartamentet e tjera të ndërtesës. Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të zjarreve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme