Anija ushtarake gjermane “MOSEL” ankorohet në Durrës, vizitë zyrtare dhe bashkëpunim ushtarak me marinën shqiptare

Aktualitet | 2 muaj më parë

Anija mbështetëse e marinës gjermane, “MOSEL”, zhvilloi një vizitë miqësore dhe zyrtare në portin e Durrësit gjatë fundjavës, duke konsoliduar më tej marrëdhëniet ushtarake dypalësh mes Gjermanisë dhe Shqipërisë si aleatë në NATO.

Gjatë qëndrimit, komandanti i anijes priti në bord përfaqësues të lartë të Marinës Shqiptare, pjesëtarë të Korpusit të Atasheve Ushtarakë, si dhe diplomatë nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë.

Përveç takimeve zyrtare dhe bisedimeve dypalëshe, anëtarët e ekuipazhit gjerman shfrytëzuan mundësinë për të vizituar Tiranën dhe për t’u njohur më afër me kulturën dhe historinë e Shqipërisë.

“Ambasadori Karl Bergner theksoi rëndësinë e kësaj vizite dhe vlerësoi mbështetjen e shkëlqyer të ofruar nga Forcat e Armatosura Shqiptare.”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Kapacitetet teknike të logjistikës detare “MOSEL”

Anija mbështetëse përfaqëson një nga shtyllat kryesore logjistike të flotës detare gjermane për misionet ndërkombëtare.

Me një gjatësi prej më shumë se 100 metrash, ajo shërben si një platformë lundruese autonome për furnizim dhe mbështetje operationale.

Transporton karburant, ujë të pijshëm, municione, furnizime ushqimore dhe pjesë këmbimi për anijet e tjera ushtarake në det të hapur.

Ajo është e pajisur me reparte për kryerjen e riparimeve teknike, njësi për ndihmë mjekësore urgjente, si dhe teknologji moderne të komunikimit dhe drejtimit strategjik.

Vizita në portin e Durrësit shënon një nga ndalesat e anijes “MOSEL” gjatë rrugëtimit të saj të kthimit drejt Gjermanisë, pas përfundimit të misioneve ushtarake në Detin e Kuq dhe në zonën strategjike përreth Xhibutit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme