KLP vendos të rrisë pagat e prokurorëve, vendimi i Gjykatës Kushtetues ka krijuar boshllëk ligjor

Aktualitet | 2 muaj më parë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur rritjen e pagës referuese për prokurorët, duke ndjekur të njëjtin model të aplikuar për gjyqtarët. Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, KLP përcaktoi pagën referuese në 222 mijë e 425 lekë.

Kësaj shume i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit, duke e çuar bazën e përllogaritjes së pagës në 236 mijë e 425 lekë. Vendimi vjen pas një situate të krijuar nga ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë. Anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, tha se Këshilli ishte i detyruar të ndërhynte për shkak të boshllëkut ligjor të krijuar pas vendimit të Kushtetueses.

Sipas Mërkurit, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar një normë ligjore dhe i ka lënë Kuvendit një afat për plotësimin e këtij boshllëku. Por, në kushtet kur ndryshimet ligjore nuk janë miratuar, KLP ka vendosur të referohet te vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Paga referuese e përcaktuar nga KLP lidhet me pagën e një pozicioni drejtues në Kryeministri, e cila shërben si bazë për përllogaritjen e pagave të prokurorëve.

Rritja e pagave të prokurorëve vjen pas ndryshimit të pagave të gjyqtarëve. Që prej 1 gushtit 2026, pagat e gjyqtarëve janë rritur me 65 mijë e 600 lekë, pas një vendimi të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Çështja ishte referuar në Gjykatën Kushtetuese nga Unioni i Gjyqtarëve, pas kundërshtimit të qeverisë ndaj rritjes së pagave. Gjykata Kushtetuese vlerësoi të papranueshme uljen e pagave dhe i la Kuvendit detyrën për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme