Abissnet Superiore në RTSH/ Egnatia dhe Dinamo mbyllin sot javën e dytë me 2 sfida delikate

Abissnet Superiore | 2 muaj më parë

Dy skuadrat e impenjuara në Europë mesjavën që shkoi luajnë ndeshjet e radhës në kampionat, kampionët kundër Vorës dhe blutë kundër Skënderbeut.

Java e dytë e Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, mbyllet sot me dy sfidat Vora-Egnatia dhe Skënderbeu-Dinamo. Dy sfida delikate në transfertë për dy skuadrat pretendente, edhe pse ndeshja e kryeqytetasve me korçarët do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”.

Egnatia kampione në fuqi, pasi ka mësuar edhe kundërshtarët e ndeshjeve të Conference League, ku shkon për herë të parë në histori, duhet të riambientohet shpejt me kampionatin. Me statusin e një ekipi të madh tashmë, rrogozhinasit mund të mposhtin çdo kundërshtar dhe në çdo fushë, por Vora parashikohet të jetë një “kockë e fortë”. Javën e parë bëri surprizën, duke mundur Dinamon.

Skuadra e Dajës, pas eliminimit në Europë, duhet medoemos të marrë fitoren e parë në kampionat dhe shanset i ka të mëdha ndaj Skënderbeut. Në kalendar është një ndeshje transferte për kryeqytetasit, por do të luhet në Elbasan pas marrëveshjes mes klubeve dhe FSHF-së, sepse stadiumi i Skënderbeut nuk është gati.

Korçarët kanë federuar lojtarë të rinj, pasi e kanë zhbllokuar merkaton, megjithatë përballë Dinamos, me një ritëm goxha të lartë në ndeshjet europiane, do ta kenë shumë të vështirë. Fitorja është detyrim për blutë në ndeshjen e sotme, që starton në orën 21:00. Vora-Egnatia nis në orën 16:00.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme