Rikthehen tensionet në Gjirin Persik, SHBA dhe Irani rifillojnë sulmet

Botë | 2 muaj më parë

SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ushtarake, duke rikthye tensionet në Gjirin Persik. Forcat amerikane goditën dy hedhës raketash iranianë në ishullin Larak, në ngushticën e Hormuzit. Sipas Iranit, sulmi shkaktoi viktima dhe të plagosur. SHBA-ja tha se objektivi ishin forcat iraniane që po përgatiteshin të vendosnin mina detare në këtë rrugë strategjike.

Në përgjigje, Irani lëshoi raketa drejt dy bazave amerikane në Jordani. Autoritetet jordaneze thanë se kishin interceptuar tetë raketa, ndërsa nuk u raportuan dëme të mëdha. Teherani pretendoi gjithashtu se kishte goditur një bazë amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, por Abu Dhabi e mohoi këtë.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) e përshkroi operacionin si një seri “veprimesh të kufizuara dhe të sakta”, të ndërmarra kundër forcave iraniane që, sipas amerikanëve, po vendosnin mina në ujërat e ngushticës dhe përbënin një kërcënim të menjëhershëm për lundrimin.

Disa orë pas sulmit amerikan, IRGC njoftoi se kishte lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Jordani.

Sipas deklaratës iraniane, objektivat ishin bazat King Hussein dhe Al-Azraq. Autoritetet jordaneze thanë se kishin interceptuar tetë raketa gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës.

Ishulli Larak ndodhet pranë Bandar Abbasit dhe pikërisht në zonën e ngushticës së Hormuzit, një korridor detar me rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë botërore.

Para nisjes së luftës, rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalonte përmes kësaj rruge.

Goditjet e fundit ushtarake ndodhin në një moment kur Uashingtoni po rrit edhe presionin ekonomik ndaj Teheranit.

Më 24 gusht, SHBA-ja njoftoi një fushatë të re sanksionesh, me synim kufizimin e mëtejshëm të ekonomisë iraniane dhe zgjerimin e masave ndaj kompanive dhe vendeve që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Teheranin. Zyrtarët iranianë i kanë hedhur poshtë këto masa, duke i konsideruar si vazhdim të politikës amerikane të presionit maksimal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme