Rusia rikthehet në tryezën e G20, SHBA hap derën e dialogut me Moskën, kritikohet nga vendet evropiane

Botë | 2 muaj më parë

Një përplasje e qartë mes qasjes amerikane dhe asaj evropiane ndaj Rusisë është shfaqur në takimin e G20-s në Asheville të Shteteve të Bashkuara. Prania e ministrit rus të Financave në atë samit, për herë të parë që nga nisja e  pushtimit të Ukrainës, nxori në pah dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropiane për mënyrën se si duhet trajtuar Rusia.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u takua me ministrin Siluanov duke sinjalizuar gatishmërinë e administratës Trump për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me Moskën. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, dy zyrtarët diskutuan planin e Presidentit Trump për paqen në Ukrainë dhe çështje ekonomike, por Sekretari amerikan i Thesarit përjashtoi mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndaj Moskës për sa kohë që lufta në Ukrainë vazhdon.

Nga ana e saj, ministria ruse e Financave deklaroi se bisedimet u përqendruan te çështjet financiare mes dy vendeve dhe angazhimin e Rusisë në G20. Megjithatë Evropa mban një qëndrim krejt tjetër.

Ministrat evropiane kundërshtuan trajtimin e Rusisë si një pjesëmarrëse normale në samitin G20. Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil tha se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Moskën ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, duke theksuar se kjo qasje e përbashkët nga evropianët rezultoi që fotografia tradicionale familjare e ministrave të Financave të G20-ës dhe guvernatorëve të bankave qendrore të bëhet pa ministrin dhe delegacionin rus.

Ndërkohë që Washingtoni edhe pse nuk premton lehtësime ekonomike për Rusinë pa përfundimin e luftës, po zgjedh dialogun si një mjet për të ecur përpara me negociatat e paqes, Europa kërkon të ruajë presionin dhe izolimin e Rusisë deri në përfundimin e luftës ndaj Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme